Ekskluzive: Vrasësit e policit malazez nuk janë kosovarë, por nga Shqipëria

Oficeri i Policisë Kufitare të Malit të Zi, Milutin Lekoviç, i cili vdiq nga plagët e marra rreth orës 02:00 në Igalo nuk është vrarë nga tre shtetas të Kosovës, por dorasit kanë qenë shtetas të Shqipërisë.

Nga burime të afërta me rastin, IndeksOnline mëson se personat që kanë gjuajtur në drejtim të policit kufitar malazez, Milutin Lekoviç janë të Malësisë së Madhe të Republikës së Shqipërisë.

Inicialet e personave që kanë qenë në veturë janë L.H., L.H. dhe L.N. nga Malësia e Madhe, që të tre pjesëtarë të një familjeje, dy vëllezër dhe nëna e tyre.

Polici kufitar Milutin Lekoviç, 41 vjeç, vdiq nga plagët e marra rreth orës 02:00 në Igalo. Ai iu nënshtrua një operacioni, ku mjekët kaluan orë të tëra duke u përpjekur për të shpëtuar jetën e tij.

“Rreth orës 02:45 pasdite në Rrugën Sava Ilic në Igalo, gjatë aktit të kapjes së tre personave që nuk kishin dokumente personale, njëri prej personave të armatosur gjuajti me armë zjarri një oficer policie. Sulmuesit, dy burra dhe një grua ikën në një drejtim të paditur pas incidentit “, tha Drejtoria e Policisë.