Dyshimet rreth gradave e bllokojnë avancimin e Kamishit në Fakultet

Bekim Haxhiu i njohur si ‘Kamishi’ nuk ka arritur të kalojë hapin e dytë për t’u bërë Profesor Asistent në Universitetin e Prishtinës.

Universiteti i Prishtinës, përkatësisht Fakulteti i Mjekësisë, ka ngritur dyshime mbi vlefshmërinë e gradës Doktor Shkence të ish-deputetit të PDK-së.

Ky fakultet pritet që të kërkojë sqarime nga departamenti për njohjen dhe barasvlerë të diplomave në MAShT, nëse kreditë e marra në studimet e Doktoratës në Shqipëri i mjaftojnë Kamishit për  avancim.

Sot u mbajt mbledhja e Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë që trajtoi edhe konkursin për Profesor Asistent në Departamentin e Fizioterapisë.

Në këtë konkurs kishin kandiduar Arbnore Ibrahimi dhe Bekim Haxhiu për të cilët kishte vendosur Komisioni Recensues  i përbërë nga Ardiana Sylejmani,Teuta Osmani-Vllasolli dhe Ragip Shabani.

Ky komision e kishte propozuar për zgjedhje Bekim Haxhiun.

Kur ky propozim erdhi për votim në Këshillin e Fakultetit, të enjten, u mor vendim që konkursi të kthehet në pikën zero.
Kjo për shkak se për të dy kandidatët pati dyshime për vlefshmërinë e gradave të tyre shkencore.

Të dy kandidatët, ndonëse kanë marrë titullin doktor shkence, ata  kanë doktoruar në universitete të ndryshme.

Bekim Haxhiu- Kamishit i është njohur grada shkencore “Doktor i shkencave Infermierore, profili Fizioterapi” në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.

Ndërsa Arbnore Ibrahimit i është njohur grada shkencore “ Doktor i Shkencave në Kineziologji” në Fakultetin e Edukatës Fizike në Universitetin “Sv. Kiril i Metodij” në Maqedoni.

Prodekani për çështje akademike në Fakultetin e Mjekësisë, Sefedin Muçaj, në nëntor të 2018, kishte kërkuar informacione në MASHT rreth ekuivalencës së diplomave të lëshuara nga ky universitet..

“Disa nga këta kandidatë kanë aplikuar për ligjërues në departamentin e Fizioterapisë, me arsyetimin që studimet e tyre janë nga fusha e Fizioterapisë. Qëllimi është që të jemi korrekt dhe në suaza të dispozitave ligjore të bëhet vlerësimi i secilit kandidat në mënyrë sa më të drejtë, dhe kërkojmë sqarim nga ju si qendër për Informim Akademik, që këto diploma të doktoratës a janë në fakultetin e Shkencave Mjekësore, drejtimi Fizioterapi apo doktorata nga lëmia e Edukatës Fizike? Po ashtu, edhe sa janë ekuivalente këto doktorata nëse janë të fushave të ndryshme?”, kishte shkruar prodekani në e – maili-in drejtuar Qendrës Kombëtare për Njohjen e Diplomave- NARIC, e cila është në kuadër të Ministrisë së Arsimit.

Ky shqetësim i Fakultetit të Mjekësisë, nuk kishte gjetur zgjidhje deri në fillim të muajit nëntor të këtij viti.

Në një dokument, të cilin e ka pranuar Fakulteti i Mjekësisë me 11 nëntor 2019, thuhet që kjo gradë shkencore nuk është ekuivalente me gradën “Doktor i Shkencave të Fizioterapisë”

“Duke u bazuar në dokumentacionin e dorëzuar nga palët si dhe informatat zyrtare të  pranuara në Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, grada “Doktor i Shkencave të Kineziologjisë (shkenca e lëvizjes), e fituar në “Sv. Kiril i Metodij”, në Shkup, klasifikohet nga sfera e shkencave shoqërore dhe bën pjesë në Fakultetin e Edukimit Fizik, Sport dhe shëndet, ndërsa programi i studimit nga fusha e Fizioterapisë (shkencës për mjekësi), bën pjesë në sferën e shkencave të mjekësisë dhe shëndetësisë. Mbi këtë bazë sqarojmë se grada “Doktor shkence të Kineziologjisë” nuk është ekuivalente me gradën “Doktor i Shkencave të Fizioterapisë”, thuhet në përgjigjen e NARIC drejtuar Fakultetit të Mjekësisë.

Bekim Haxhiu- Kamishit i është njohur grada shkencore “Doktor i shkencave Infermierore, profili Fizioterapi në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, ku kishte marrë 60 ECTS përgjatë tri vjetëve të studimeve.

Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Manxhuka- Kërliu në mbledhjen e Këshillit tha që statuti i Universitetit të Prishtinës thotë që studimet e doktoratës zgjasin zakonisht 3 vjet, dhe kërkojnë 180 pikë.

Kujtojmë që Bekim Haxhiu është zgjedhur deputet me 10 mijë e 449 vota.

SHARE