Dyshime për rrjedhje të informatave zyrtare për aksionin e Policisë në veri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka dyshime se ka pasur rrjedhje të informacioneve për aksionin që ka zhvilluar sot Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën në veri.

Sipas Sveçlës, gjatë aksionit kundër aktiviteteve të jashtëligjshme të minimit të kriptovalutave, në një nga lokacionet që është kontrolluar është vërejtur infrastruktura por se kanë munguar pajisjet me të cilat është zhvilluar aktiviteti.

Postimi i plotë i Xhelal Sveçlës:

Sot Policia e Kosovës në mbështetje të veprimarisë së Doganës së Kosovës, ka zhvilluar një aksion në Komunën e Zubin Potokut me ç’rast janë kontrolluar tri lokacione/ hapësira të dyshimta për aktivitete të jashtëligjshme të minimit të kriptovalutave. Aksioni ka përfunduar pa incidente.

Në një nga lokacionet është vërejtur infrastruktura por mungonin paisjet për këtë veprimtari të jashtëligjshme. Duke marrë parasysh këtë fakt, Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime intensive për rrjedhje të informatës zyrtare.

Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës duke lajmëruar çfarëdo veprimtarie joligjore, të kujtdo qoftë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejtë në sundimin e ligjit për të gjithë dhe kudo në Kosovë.