Parashikimi i motit për këtë të premte dhe të shtunë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës​​​​ njoftoi se të premten do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

Ndërsa dita e shtunë do të karakterizohet me mot kryesisht të ngjashëm, por vende-vende parashihen reshje të intensitetit të dobët.

“Në mëngjes dhe gjatë natës do të ketë ngrica, prandaj pjesëmarrësve në trafik u këshillojmë që të kenë kujdes të shtuar”, thuhet në njoftimin e IHMK’së.

Sipas Institutit, temperaturat minimale gjatë këtyre dy ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet -6 deri -3 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 5-6 gradë celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes dhe juglindjes.