Dialogu Kosovë-Serbi, Borell raporton para ministrave të BE-së

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë sot për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe tensionet e fundit mes dy vendeve.

Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, ministrat do të kenë “shkëmbim të mendimeve rreth dialogut Prishtinë-Beograd, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës”.

Pritet që para ministrave të raportojë kryediplomati i BE-së, Josep Borell, dhe më pas të vazhdojnë diskutimet në këtë temë.

Nuk priten konkluzione apo vendime formale, përveç diskutimit të masave që mund të marrë blloku evropian për t’i bindur palët që të marrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve.

Bashkimi Evropian ka pritur se do të ketë ulje të tensioneve pas takimeve të fundit që Borrelli ka pasur me dy liderët në Bruksel, një javë më parë.

Liderët nuk janë takuar me njëri-tjetrin, por vetëm me Borrellin, veç e veç.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.

Tensionet janë rritur edhe më kur autoritetet e Serbisë i kanë arrestuar tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Kosova ka thënë se bëhet fjalë për rrëmbim, Serbia ka thënë se policët janë arrestuar në territorin serb.

Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës janë duke arrestuar disa pjesëtarë të komunitetit serb, që dyshohet se kanë marrë pjesë në dhunën kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve që raportojnë nga veriu.

Serbia dhe pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë i konsiderojnë këto arrestime si arbitrare.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja./REL