Dhunë në një familje në Pejë: Kryefamiljari dëbon nga shtëpia bashkëshorten dhe vajzën, ato e denoncojnë në Polici

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.

Një ngjarje e tillë ka ndodhur në një familje në Pejë, ku kryefamiljari dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tyre të mitur.

Sinjali mëson se viktimat kanë kërkuar ndihmën e Policisë, ku kanë deklaruar se 43-vjeçari ka ushtruar dhunë psikike ndaj tyre dhe i ka dëbuar nga shtëpia.

Njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili është recidivisht i dhunës në familje.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.