Detaje të reja për rastin në “Bon Vivant”: 7 të plagosur me armë zjarri dhe 10 të lënduar

Mbrëmë para mesnatës ka ndodhur një ngjarje e rëndë në Prishtinë.

Rreth orës 23:30 janë raportuar të shtëna me armë zjarri në lokalin e njohur “Bon Vivant” i cili ndodhen në rrugën “Rexhep Luci” në qendër të kryeqytetit.

Nga këto të shtëna kanë marrë plagë disa perona dhe disa të tjerë janë lënduar.

Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, ka thënë detaje të reja për rastin.

Duke treguar për gjendjen e të plagosurve, ai ka bërë se në këtë rast janë lënduar 17 persona.

Sipas tij, 7 janë të plagosur me armë zjarri, ndërsa 10 janë të lënduar me me xhama ose mjete të tupitura.

Syla ka treguar se njëri nga të plagosurit është në gjendje të rëndë.

“Krejt i kemi 17 të lënduar. 7 janë me armë zjarri kurse 10 janë me lëndime të tjera, me xhama ose mjete të tupitura. Të gjithë janë në gjendje stabile, ndërsa njëri është në sallë të operacioni dhe është në rrezik për jetë. Ndërsa, prej këtyre gjashtë të tjerëve, një nga ta pret që të hyjë në sallën e operimit, por gjendja e tyre është stabile. Mosha e pacientëve sillet prej vitit 1984 deri në 2003”, ka deklaruar pas mesnatës Syla për “Express.

Për rastin detaje ka dhënë edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Ai ka thënë për gazetën Nacionales se nga informacionet e para dyshohet për disa të plagosur dhe të lënduar.

“Rreth orës 23:30, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se disa persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit apo edhe nga fragmente qelqi.” – ka thënë ai.

Po ashtu, Borovci ka konfirmuar se të lënduarit janë dërguar për trajtim dhe se rasti po hetohet.

Në fund Policia ka bërë të ditur se dy persona të dyshuar janë identifikuar si të përfshirë në rast, derisa është duke u punuar edhe identifikimin e të dyshuarve të tjerë:

“Aktualisht së paku dy të dyshuar janë identifikuar si të implikuar në rast, përderisa po punohet edhe për identifikimin e të dyshuarve të tjerë të mundshëm.”, është shprehur ai.