Zëvendësministri i Jashtëm: Greqia mund ta njohë Kosovën

Zëvendësministri i Jashtëm dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, thotë se Kosova ka shënuar sukses në diplomacinë e jashtme gjatë vitit 2023.

Sipas tij, angazhimi është i përditshëm për të siguruar njohje të reja dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, të cilat do të fuqizonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Ai përmend Greqinë si mundësi që mund ta njohë Kosovën, pasi thekson se raportet mes dy vendeve janë përafruar shumë.

Duke folur për dialogun, ai akuzon Serbinë për moszbatim të marrëveshjes bazë, derisa thotë se prioritet bazë në këtë fazë është siguria e Kosovës.

Ahmeti në një intervistë për KosovaPress thotë se Kosova tashmë është etabluar si realitet në arenën ndërkombëtare, por shton se njohjet e reja nuk mund të vijnë “në valë” siç kanë qenë pas shpalljes së pavarësisë.

“Synimet janë aty, angazhimi është i përditshëm në këtë drejtim. Është e qartë se njohjet e reja ka vite që tregojnë se nuk mund të vijnë në valë siç kanë ardhur menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, për arsye tashmë të ditura, pasi 117 vende veçse e kanë njohur Kosovës. Ka zhvillime në një numër të vendeve, veçmas të këtyre të Bashkimit Evropian, katër prej të cilave janë edhe anëtare të NATO-s. Duke prioritizuar këto sepse edhe synimet multilaterale kanë për prioritet BE-në dhe NATO-n. Me Greqinë kemi pasur zhvillimin më të theksuar, kur kemi ngritur statusin e zyrës sonë në Athinë nga një zyrë për çështje ekonomike në një zyrë për çështje të interesave për Kosovën”, thekson zëvendësministri Ahmeti.

Krahas kësaj, Ahmeti është optimist se në vitin 2024 do të ketë lëvizje pozitive sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Ai deklaron se raporti i juristëve eminent të KiE-së për Kosovës ka qenë pozitive dhe se s’ka asnjë kushtëzim sa i përket dialogut me Serbinë.

Diplomati Ahmeti e sheh të nevojshme që sa më shpejt t’i jepet “drita e gjelbër” Kosovës sa i përket marrjes së statusit vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ka qenë një raport i mirë për procesin e anëtarësimit. Është bërë një hap i rëndësishëm me të, pasi detyra e juristëve eminentë ka qenë t’i japin përgjigje pyetjes se: sistemi ligjor i Kosovës a është në nivelin e standardeve të Këshillit të Evropës? Përgjigjja është e qartë te përfundimet e raportit, se është dhe për më tepër tejkalon standardet ndërkombëtare…Një pjesë e rekomandimeve si duket nuk kanë pasur informacionin e duhur se ne qëndrojmë më mirë sesa çfarë rekomandohet aty. Tash nga institucionet që janë pjesë e grupit koordinues po i marrim inputet po e ndërtojmë një dokument, të cilin do ta ndajmë me Këshillin e Evropës, në mënyrë që të kemi parasysh se ku qëndron Kosova në këtë çështje. Nuk ka asnjë kriter për anëtarësim deri në raportin e juristëve eminentë, pasi ky është një element i rëndësishëm… Nuk mund të jap zotim, pasi Këshilli i Evropës nuk parasheh afate brenda procedurave të brendshme dhe kjo është vështirë të ketë parashikim të saktë. Por lëvizje jam i bindur se do të ketë”, shton Ahmeti.

Megjithatë, ai kritikon Bashkimin Evropian për masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat sipas tij po e dëmtojnë vendin dhe po japin sinjal të gabuar për tërë rajonin.

“Fatkeqësisht, po. Masat, të cilat janë plotësisht të padrejta dhe që nuk i kontribuojnë stabilitetit në rajon. Janë masa kundër një vendi që është më demokratiku në rajon, i pari për sundimin e ligjit, i pari për reformat në drejtësi në përputhje me Komisionin e Venecias. Vendi, i cili edhe pse i fundit në kuptimin formal të procesit të anëtarësimit në BE, kemi adaptuar të gjitha pakot e sanksioneve duke përfshirë këto kundër Bjellorusisë dhe Rusisë”, deklaron ai.

Në anën tjetër, Ahmeti thotë se tashmë kanë ndryshuar rrethanat sa i përket draft-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, pas deklarimit të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak se kjo është çështje e brendshme e Kosovës.

Sipas tij, kryeministri Albin Kurti është i gatshëm të bëjë një draft të asociacionit, në bashkëpunim me ministrat relevantë.

“Kjo erdhi si ndryshim i qasjes nga emisari Lajçak. Ta kemi parasysh se Kurti reagoi pas një interviste të Lajçak, ku tha se kjo është çështje e brendshme e Kosovës. Kjo e ndryshoi kontekstin dhe rrethanat plotësisht, pasi deri në atë pikë ka qenë çështje e dialogut dhe është shprehur gatishmëria që kjo të bëhet, derisa tash kanë ndryshuar rrethanat dhe të bëhet brenda Kosovës me ministrat relevantë. Por gjithmonë në kontekstin që dihet se siguria është prioriteti kryesor sot”, thotë Ahmeti.

Ndërkaq, paralajmëron se grupet terroriste serbe po vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera eventuale ndaj Kosovës.

“Ky sulm ka qenë akti më i qartë i asaj që e kemi treguar tash e sa kohë për qasjen e Serbisë, jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe rajonit. Ka qenë pa asnjë dilemë se kush qëndron prapa atij sulmi edhe për shkak të fakteve që janë bërë publike nga institucioneve të sigurisë së Kosovës, por edhe për shkak të shpërndarjes dhe argumentimit që është bërë nga shërbimi jonë diplomatik dhe krerët e shtetit te vendet të tjera… Atje po vazhdojnë përgatitjet e grupeve terroriste për sulme të tjera eventuale në të ardhmen e afërt”, përfundon Ahmeti.