Arrestohet polici serb në Istog, dyshohet për krime lufte, ja historia e tij

Caslav Joliq u nis mëngjesin e sotëm në Istog për të nxjerrë një dokument personal në qendrën e regjistrimit.

Por, shtypja e numrit të tij personal i doli “dardhë me bisht”.

Serbi nga Gurrakoci i Istogut ishte në kërkim nga Interpoli, për çka sistemi e nxori në pah. Pak minuta iu deshën patrolës së policëve civilë për të ardhur në vendin e ngjarjes ku edhe iu vënë prangat.

Por kush është në të vërtetë Joliq?

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se serbi është polic aktiv në Beograd. Ai akuzohet për rrahjen e një kosovari nga fshati Gurrakoc pak para përfundimit të luftës.

I njëjti akuzohet edhe për tortura dhe maltretim të popullsisë civile në Istog si rezervist në ish-policinë serbe.

54 vjeçari u dërgua në Stacionin Policor në Istog, dhe me urdhër të Prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh./