Arrestohet personi në shtëpinë e së cilit policia po kryente aksionin antidrogë

Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë të dyshuarin në lidhje me incidentin e sotëm që ndodhi në Zhur të Prizrenit.

Këtë e ka konfirmuar, Shaban Osmanollaj, zëdhënës në Policinë Rajonale të Prizrenit.

“Po, është arrestuar i dyshuari menjëherë. I njëjti është duke u mbajtur në paraburgim me afat prej 48 orësh”, ka thënë zyrtari policor.

Ndryshe, Policia e Kosovës, njësiti antidrogë ishte sot duke zhvilluar një aksion, gjatë të cilit ku ka ndodhur një shpërthim, në të cilin ka humbur jetën polici, Sami Thaçi dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Gjithashtu gjatë këtij shpërthimi, është lënduar edhe një fëmijë, i cili është duke u mbajtur në Spitalin e Prizrenit e që është jashtë rrezikut për jetë.

Një dëshmitar nga vendi i ngjarjes ka treguar se një person që dyshohet se është marrë me lëndë narkotike ka montuar një bombë në shtëpi të tij, me ç’rast fëmija i lënduar është pjesëtar i familjes së tij.