SPD Gjermane mbështet Lëvizjen Vetëvendosje

Dje, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, së bashku me Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti, këshilltaren Fëllanza Podrimja dhe asistenten ekzekutive Valë Gjonbalaj, kishin një takim miqësor me deputetë dhe zyrtarë të Partisë Social Demokrate (SPD) gjermane.

Qysh në fillim të takimit, deputeti i Bundestagut Metin Hakverdi deklaroi që SPD mbështet Lëvizjen VETËVENDOSJE! në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Përgjatë diskutimeve të tyre, përfaqësuesit e këtij subjekti theksuan se Lëvizjen VETËVENDOSJE! e shohin si subjektin e vetëm i cili mund të sjellë ndryshimet e domosdoshme në Kosovë, që bazohen në zhvillim ekonomik dhe drejtësi.

Kandidati për Kryeministër, Albin Kurti, u shpreh se Qeveria e ardhshme do t’i vazhdojë punët e mira të cilat kanë mbetur në gjysmë në mandatin e parë. Ai paraqiti programin qeverisës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i cili bazohet në dy koncepte themelore: Punë dhe Drejtësi. Pas interesimit zyrtarëve të SPD për pengesat dhe sabotimet nga KQZ për procesin e votimit nga mërgata, Kurti i bëri thirrje mërgatës sonë që të votojnë masivisht dhe sa më parë, në mënyrë që votat e tyre të numërohet e ndryshimi në Kosovë të bëhet i mundur.

Përfaqësuesit e SPD u zotuan që mbështetjen e tyre do ta japin edhe pas zgjedhjeve, kur Kryeministër të jetë Kurti, nëpërmjet subjektit të tyre, institucioneve gjermane dhe mekanizmave evropian, në mënyrë që të realizohet alternativa qeverisëse drejt krijimit të një shoqërie të drejtë e të zhvilluar për krejt.

Në fund, me shpresën dhe urimin për zgjedhje demokratike e fitore bindëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, pjesëmarrësit u pajtuan që ta vazhdojnë bashkëpunimin e tyre në të ardhmen duke e zgjeruar e thelluar atë.