Arrestohen edhe tre persona për 1 ton marihuanë që u kap në Sverkë të Pejës

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për luftimin e narkotikëve në Pejë, sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërmarrë një aksion, ku kanë arrestuar tre persona, raporton Gazeta Sinjali.

Të arrestuarit janë nën dyshimin për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Siç njofton Sistemi Prokurorial, ky aksion është rezultat i hetimeve të ndërmarra nga prokurori i shtetit dhe Policia e Kosovës lidhur me plantacionet në rastin e koduar “Vera 2024”, ku gjatë vitit të kaluar janë sekuestruar rreth 3,000 bimë narkotike dhe rreth 1 ton marihuanë në fshatin Sverkë të komunës së Pejës.

Arrestimi i të dyshuarve është ekzekutuar nga Njësiti Special Intervenues në rajonin e Pejës dhe Gjakovës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe njëkohësisht janë sekuestruar dy automjete, tre telefona mobil dhe para kesh.

Lidhur me këtë rast, më herët, me kërkesë të prokurorit të shtetit, në Republikën e Shqipërisë janë arrestuar edhe tetë persona për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.