ARB MANAJ SHPALLET SPORTISTI I VITIT 2020 NË KOMUNËN E KLINËS

Arb Manaj, i cili karrierën në futboll e ka filluar në K.F. Dukagjini në Klinë dhe tash luan për klubin turk Ankara Keciorengucu, pas vlerësimit të jurisë profesionale, është shpallur Sportisti i Vitit 2020 në Komunën e Klinës.

Arbi ka një të kaluar sa të dhimbshme aq edhe krenare e frymëzuese. Djalë i një familje atdhetare e të cilit kriminelët serb ia vranë prindin kur Arbi ishte vetëm tetë muaj. Por, me mbështetjen e familjes, me një angazhim të jashtëzakonshëm, disiplinë, talent e dashuri për futbollin, Arbi ka arritur ta përmbushë ëndrrën e tij, duke u bërë futbollist profesional shumë i suksesshëm dhe duke qenë shembull për t`u ndjekur për të rinjtë tjerë në realizimin e qëllimeve të tyre e duke na bërë krenar të gjithë neve.

Ndërsa me mirënjohje për kontributin e dhënë për zhvillimin e sportit në Klinë dhe Kosovë kemi nderuar veteranin futbollit, Sali Marmullaku, i cili karrierën si portier e ka filluar në vitin 1970 dhe ishte një ndër futbollistët e parë shqiptar të ish K.F. “Malishganit” dhe ka dhënë kontribut të madh në pavarësimin e sportit të Kosovës ndaj Serbisë dhe në emërimin e klubeve të sportit të Klinës me emrin “Dukagjin”.
Njëri ish portier e tjetri sulmues, të dy më të mirët në pozitat e tyre, por në kohëra të ndryshme.

Gjatë këtyre tri viteve të qeverisjes time kemi mbështetur në mënyrë të parezervë sportistët dhe klubet sportive në Klinë dhe do ta vazhdojmë mbështetjen me qëllim avancimin e sportit lokal.