Aktakuzë ndaj 7 personave për kultivimin e mbi 100 kilogramëve narkotikë

Prishtinë-Prokuroria Themelore në Pejë njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave, nën dyshimin se në periudhën maj-shtator 2022, kanë kultivuar rreth 100 kilogramë marihuanë dhe se njëri prej tyre ka poseduar edhe rreth gjysmë kilogrami kokaine.

“G.J, E.M., Z.M., E.J., F.D., A.J. dhe G.Z. akuzohen për kultivim të bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, marihuana ishte e gatshme për shitje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se 177 bimë të tjera janë shkatërruar me urdhër të prokurorit të shtetit.

I pandehuri, G.J., akuzohet se me datë 28 shtator 2022, me qëllim të shitjes ka poseduar rreth gjysmë kilogrami kokainë, të ndara në katër qese. I pandehuri, Z.M., akuzohet se në kohë të vazhdueshme ka shitur dhe shpërndarë narkotikë të llojit marihuanë. Të pandehurit F.D dhe G.Z, akuzohen për dhënien e ndihmës në kryerjen e veprave të lartcekura.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë”, thuhet në njoftim./BetimipërDrejtësi