PDK-ja dorëzon kallëzimin penal ndaj Bordit të ZRRE-së

Partia Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për tarifat e shtrenjta të rrymës.

Kallëzimi penal ndaj tyre është dorëzuar për moszbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shtyrjen, përkatësisht pezullimin e zbatimit të vendimit për këto tarifa.

Pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës ndaj ZRRE-së, Gjykata Themelore në Prishtinë doli me aktvendim për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të këtij institucioni për shtrenjtimin e rrymës.

Në aktvendim thuhet se “shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022 i publikuar më datë 16.02.2022 i të apditurës Zyra e Rregullatorit për Energji me seli në Prishtinë derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses”.

Por ZRRE duket se nuk e ka në plan të pezullojë tarifat e shtrenjta, as pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Nga ky institucion kanë deklaruar se e kanë pranuar aktvendimin e Themelores, derisa kanë paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit.