Aksion kundër bixhozit të paligjshëm në Skenderaj, bie në pranga një person

Aktivitetet e organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm, të cilët po sfidojnë kështu shtetin.

Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë në Skenderaj një person, pasi i njëjti dyshohet se në lokalin e tij zhvillonte veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.

Përmes një komunikate për media, Policia njofton se në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar, shtatë aparate te lojërave, dy televizorë dhe dëshmi tjera relevante.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar nga organet e hetuesisë.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.