Kryetari Elezaj me anëtarë e drejtorë, në vigjilje të Festës së Flamurit, vizituan Gostivarin

Në vigjilje të Ditës së Flamurit, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj bashkë me anëtarë të kuvendit e drejtorë, vizituan gjatë ditës së sotme qytetin e Gostivarit.

Me këtë rast kryetari Elezaj përmes një postimi në FB njoftoj se është pritur nga kryetari i Gostivarit, Arben Taravari dhe bashkëpunëtorët e tij.

Ky është postimi i Elezajt:

Në prag të 28 nëntorit, 110 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, bashkë me kryesuesin e kuvendit, Fadil Gashi, anëtarë të kuvendit dhe drejtorë të drejtorive, jemi duke qëndruar në një vizitë zyrtare në qytetin e Gostivarit.

Ishte kënaqësi e veçantë të takoj kryetarin e komunës, z. Arben Taravari, të cilin e falënderova për pritjen vëllazërore.

Me z. Taravari dhe bashkëpunëtorët e tij kemi shkëmbyer përvoja të qeverisjes komunale dhe biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit mes dy komunave tona, veçanërisht në aspektin kulturor dhe edukativ.

Në vazhdën e manifestimeve për Festat e Nëntorit, në hapësirat e komunës së Gostivarit ndoqëm prezantime me motive kombëtare, përgatitur nga nxënësit e talentuar të shkollave të mesme të Gostivarit.