16 komuna pa noterë, s’dihet kur do të emërohen të rinjtë

Banorët e gjashtëmbëdhjetë komunave të Kosovës po ankohen për mungesë noterësh dhe se për shërbime noteriale detyrohen të shkojnë në komunat e mëdha.

Jo vetëm Komuna e Kamenicës, është pa noterë, por Mamusha, Obiliqi, Malisheva, Kllokoti, Istogu, Rahoveci, Ranilluku, Parteshi, Juniku, Leposaviçi, Zveçani, Zubin Potoku, Skenderaj, Han i Elezit dhe Kaçaniku.

E dhjetë nga këto komuna asnjëherë nuk kanë pasur noterë që nga funksionalizimi i këtij sistemi.

Derisa në gjashtë komuna noterët janë pensionuar.

Nuk kanë munguar as ankesat ndaj Ministrisë së Drejtësisë për mungesë noteri.

Nga Zyra për Media e Ministrisë së Drejtësisë tregojnë për Gazetën Sinjali, se aktualisht në Republikën e Kosovës funksionin e noterit e ushtrojnë pesëdhjetë  e katër noterë.

“Ndërsa pa noterë janë rreth gjashtëmbëdhjetë komuna. Lidhur me ofrimin e shërbimeve noteriale për qytetarët e këtyre komunave Ministria e Drejtësisë ka autorizuar noterët ekzistues deri në emërimin e noterëve të rinj, përkatësisht deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të noterëve”, thonë zyra për Media e Ministrisë së Drejtësisë.

Më tej nga MD-ja theksojnë se megjithatë, dhjetë nga këto gjashtëmbëdhjetë komuna nuk kanë pasur noterë që nga funksionalizimi i sistemit noterial në vendin tonë, ngase qytetarët e të njëjtave janë shërbyer në komunat tjera më të afërta. Pra, vetëm gjashtë nga këto komuna në ndërkohë kanë mbetur pa noterë si shkak i pensionimit të të njëjtëve.

“Ministria e Drejtësisë me qëllim të ofrimit të shërbimeve noteriale për banorët e Komunës së Kamenicës ka autorizuar noterët në Gjilan”, thonë për Sinjalin nga Ministria e Drjetësisë.

Sipas tyre komunat tjera pa noterë janë: Mamusha, Obiliqi, Malisheva, Kllokoti, Istogu, Rahoveci, Ranilluku, Parteshi, Juniku, Leposaviçi, Zveçani, Zubin Potoku, Skenderaj, Han i Elezit dhe Kaçaniku.

“Sa i përket asaj se kur do të shtohet numri i noterëve, veprimet e nevojshme në këtë drejtim do të ndërmerren sapo të përfundojë procesi gjyqësor ndërlidhur me kontestimin e ligjshmërisë së provimit të fundit të noterisë”, thonë nga MD-ja.

Sa i përket asaj se sa do të jetë numri i noterëve më pastaj, nga Ministria e Drejtësisë  thonë se mbetet të zbatohen dispozitat e Ligjit për Noterinë të cilat përcaktojnë diskrecionin e ministrit për emërimin e noterëve sipas numrit të banorëve, por sigurisht marrë parasysh edhe faktorët e tjerë relevantë.

Kryetari i Bashkësisë Lokale të Karaçevës Selver Lenjani, tregon për Sinjalin se për shkak të mungesës së noterit tash mbi 5 vjet, i është drejtuar ministres Albulena Haxhiut me 19 dhjetor  2022, duke i kërkuar emërimin e së paku të një noteri.

“Qytetarët  e Komunës së Kamenicës që janë mbi 40 mijë, obligohen që për shërbime noteriale të shkojnë në Gjilan dhe kjo krijon kosto të lartë, duke ditur gjendjen jo të mirë ekonomike”, tha Lenjani.
/Sinjali

SHARE