Zyrtari policor në Gjakovë gjen drogë në veturën e Policisë që e dërgoi në autolarje

Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur në rrugën “Yll Morina”, në Gjakovë, ku një zyrtar policor gjeti substancë narkotikë në veturën zyrtare të Policisë, pasi e dërgoi automjetin në autolarje, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë thonë se rasti ka ndodhur pasi zyrtari policor e kishte dërguar veturën në autolarjen e kontraktuar nga Policia për ta pastruar. Në momentin që kishte hapur bagazhin, i njëjti ka hasur në një qese me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Policia është njoftuar menjëherë për rastin, teksa një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka konfiskuar qesen me narkotikë

Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër që të nisin hetimet që të zbardhin rrethanat se si ka përfunduar droga në veturën zyrtare të Policisë