Veselaj: Kriza energjetike do t’i kontribuojë krizës ekologjike

Profesori Zeqir Veselaj ka thënë se kriza ekonomike e lidhur me atë energjetike, do t’i kontribuojë edhe krizës ekologjike
Profesori Zeqir Veselaj ka thënë se kriza ekonomike e lidhur me atë energjetike, do t’i kontribuojë edhe krizës ekologjike

“Kjo rritje e shitjes dhe e djegies së lëndëve djegëse fosile ka pasojë detyrimisht rritjen e shkarkimeve ndotëse në ajrin ambiental. Kriza ekonomike e lidhur me atë energjetike sigurisht se do t’i kontribuojë edhe krizës ekologjike me ajrin tonë ambiental”, ka thënë Veselaj, ligjërues i lëndëve abientaliste në Universitetin e Prishtinës
Kriza ekonomike e lidhur me atë energjetike, sipas profesorit Zeqir Veselaj, do t’i kontribuojë edhe krizës ekologjike.

Në një intervistë me KOHËN, Veselaj, i cili është ligjërues i lëndëve ambientaliste në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka thënë se rritja e shitjes dhe e djegies së lëndëve djegëse fosile do të rrisë shkarkimet e ndotësve të ajrit.

Ai ka thënë se Kosova edhe para krizës energjetike, ngrohjen gjatë dimrit e ka pasur të përqendruar kryesisht në resurse fosile. Por shtrenjtimi i lëndëve djegëse dhe paralajmërimet për reduktime të rrymës kanë shtyrë shumë familje kosovare që për ngrohje të gjejnë zgjedhjen te lëndët djegëse më të lira, si druri dhe qymyri.

Veselaj ka numëruar faktorët të cilët ndikojnë që gjatë dimrit Kosova të ketë ajër të në nivel të pashëndetshëm.

Sektori energjetik, sipas Veselajt, prin me ndotjen, teksa si ndotësin kryesor aktiv e ka kualifikuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me kapacitetet e saj, që nga djegia e hapur e qymyrit në mihjet sipërfaqësore, djegia e qymyrit në blloqe për të prodhuar energjinë elektrike e deri te hiri i deponuar.

KOHA: Me uljen e temperaturave, kemi parë që fillon të përkeqësohet cilësia e ajrit. Pse ndodh që gjatë dimrit të ketë ndotje të ajrit?

Veselaj: Janë dy faktorë të ndarë, por komplementarë me njëri-tjetrin që ndikojnë në përkeqësimin e cilësisë së ajrit. Faktori i parë lidhet me klimën, respektivisht me ndryshimin e faktorëve meteorologjikë: Ulja e temperaturës dhe rritja e lagështisë së ajrit, gjë e cila i mban thërrmijat ndotëse më afër zonës tonë jetësore. Lagështia e ajrit krijon, po ashtu, një lloj barriere për rrymat ajrore (erërat) të cilat mund t’i largojnë ndotësit jashtë zonave urbane në rrafshin horizontal ose në lartësi në vertikale. Faktori i dytë lidhet me reaksionin shtesë të faktorit njeri. Ulja e temperaturave kërkon ngrohje, e cila në rastin tonë rrit sasinë e djegies së lëndëve djegëse fosile (dru, qymyr, mazut, pelet etj.). Sa më shumë lëndë djegëse të djegura, korrespondon me rritje të shkarkimeve ndotëse të ndotësve primar: SO2, Nox, thërrmija të imëta (PM2.5 e PM10, pluhur etj. në ajrin ambiental. Shumë nga këta ndotës primarë gjatë reaksioneve kimike me përbërësit atmosferikë formojnë ndotës sekondarë që reflektohen në formën e smogut apo ajo “gjendja e mjegullt” e ajrit ambiental në zonat urbane. Edhe më problematike janë shkarkimet e CO2 nga djegia e fosileve, që edhe pse jo me ndikim në shëndetin publik, kontribuojnë në efektin serrë si problemi më madhor për globin sot.

KOHA: Cilët janë kontribuuesit në ndotjen e ajrit në Kosovë?

Veselaj: Sigurisht se sektori energjetik prin si ndotës në Kosovë, e ndotësi kryesor aktiv është KEK-u me kapacitete e tij, që nga djegia e hapur e qymyrit në mihjet sipërfaqësore, djegia e qymyrit në blloqe për të prodhuar energjinë elektrike e deri te hiri i deponuar. Këtu hyn edhe ndotja periodike gjatë dimrit si rezultat i ngrohjes me lëndë djegëse fosile me karbon të rëndë (qymyr dhe dru). Sektori i dytë është transporti, me numrin e madhe të veturave dhe mjeteve të tjera transportuese që djegin kryesisht derivate me bazë dizelin. Industria shkakton ndotje të ajrit, por meqë kapacitetet industriale janë të kufizuara (Ferronikeli, SharrCem, e disa fabrika tjera) edhe kontributi është më i vogël në raport me dy të parat. Sektori i bujqësisë ndikon me shkarkime metani nga fermat e vogla të kafshëve, por edhe djegia e hamulloreve gjatë verës. Kemi pastaj “kontribute” më të vogla në ndotjen e ajrit me shkarkimet nga deponitë e hapura, djegiet eksesive të mbeturinave, gomave, djegien e pyjeve, pluhuri nga ndërtimet etj.

KOHA: Cilat komuna kanë ndotjen më të madhe, dhe pse pikërisht ato?

Veselaj: Ndotja e ajrit nuk njeh kufij komunalë e as shtetërorë. Kështu që asnjë komunë e Kosovës, sidomos gjatë dimrit, nuk është e kursyer nga nivelet e rritura të ndotjes së ajrit ambiental. Sigurisht që qendrat më të mëdha urbane, si Prishtina e Mitrovica, me popullatë të koncentruar urbane, transport të rënduar dhe ndërtime të vazhdueshme janë më të sulmuarat. Edhe qytete të vogla si Obiliqi, Drenasi apo Hani i Elezit, por që kanë në territorin e tyre ndotësit e mëdhenj (KEK, Ferronikel, SharrCem) janë të rënduara me ndotje gjatë tërë vitit e me ndotjen shtesë gjatë dimrit. Nga ndotësit e mëdhenj preken edhe qytetet më larg burimeve të ndotjes, nga bartja e ndotësve përmes rrymave ajrore apo si njihet ndryshe “trëndafilit” të erërave.

KOHA: Si do të ndikojë kriza energjetike te niveli i ajrit, kur dihet se kemi edhe një vendim të Qeverisë që lejoi KEK-un që të shesë thëngjill për qytetarët? Dhe si do të ndikojë kjo masë?

Veselaj: Kosova edhe para krizës energjetike aktuale, ngrohjen e dimrit e ka pasur të koncentruar kryesisht në resurse fosile. Megjithatë, shtrenjtimi i lëndëve djegëse dhe paralajmërimet e reduktimeve të energjisë elektrike kanë shtyrë shumë familje kosovare drejt rikthimit te lëndët djegëse më të lira, si druri dhe qymyri. Thjesht, dimri do ngrohje dhe kosovarët nuk kanë shumë alternative para vetes. Ka disa vjet që nuk kam parë buzë rrugëve magjistrale dru për shitje se këta muajt e fundit, që është një indikacion i qartë se ka pasur edhe rritje të shkallës së prerjeve nëpër malet tona. Kjo rritje e shitjes dhe djegies së lëndëve djegëse fosile ka pasojë detyrimisht rritjen e shkarkimeve ndotëse në ajrin ambiental. Kriza ekonomike e lidhur me atë energjetike sigurisht se do i kontribuoj edhe krizës ekologjike me ajrin tonë ambiental. Uroj për një dimër sa më të butë që sa më pak të ketë djegie fosilesh dhe shkarkimesh nga to.

KOHA: Cilat janë politikat që duhet t’i ndjekin institucionet e Kosovës në përmirësim të situatës me ajër?

Veselaj: Kosova ka legjislacion mjaft të pasur për mbrojtjen e ajrit përfshirë strategji dhe plane veprimi. E pakuptueshme mbetet pse është dashur që Ligji për mbrojtjen e ajrit të aprovohet i ri sivjet në vend se të amendementohet ai ekzistues i vitit 2010. Ky është ligji i tretë me radhë për mbrojtjen e ajrit në 18 vjet, si askund në botë besoj. Jo pse ka të keqe nga ligji i ri, por me të gjitha vlerësimet e deritashme, ligji i vitit 2010 ka qenë në harmoni me kërkesat e direktivave përkatëse evropiane për cilësinë e ajrit dhe Acquis Communitaire. Tash duhen së paku dy vjet që të nxirren aktet nënligjore që e bëjnë të zbatueshëm në praktikë ligjin e ri, që nënkupton ambigutitet ligjor për ndotësit e ajrit. Kjo zbrazëti ligjore iu vjen për shtati vetëm ndotësve të mëdhenj, por jo edhe qytetarit që po e thith ajrin e ndotur nga ta. Shumë më e vlefshme do ishte që të zbatohej ligji se të eksperimentohet vazhdimisht me ndërrimet komplet të ligjeve mjedisore. Shtetet serioze nuk eksperimentojnë me ligje çdo pesë apo dhjetë vjet, por i zbatojnë në terren ato dhe i përmirësojnë përgjatë rrugës së zbatimit nenet që nuk zbatohen dot. Edhe direktivat e BE-s nuk ndërrohen komplet, por amendamentohen vazhdimisht në nenet që nuk japin rezultatin e synuar. Kjo strategji e ndërrimit komplet të ligjeve, më shumë duket si justifikim i dështimeve në zbatimin e ligjeve në praktikë. Po vërehet mungesë e theksuar e rregullimit ligjor të fushës së ndryshimeve klimatike, që theksohet edhe në Raportet e Progresit të KE. Fatkeqësisht, në vend se institucionet të fokusohen aty ku është vëmendja e European Green Deal, po humbin kohë, energji dhe resurse tekniko-financiare në ndryshime ligjesh që janë në fuqi.

Përfundimisht nga institucionet kërkohet më shumë në zbatim të ligjit, plotësim i legjislacionit që mungon për ndryshimet klimatike, ngritje e kapaciteteve teknike, financiare dhe njerëzore e sidomos inspektoratit. Duhet përkrahje e iniciativave ekonomike miqësore ndaj mjedisit dhe ajrit ambiental si dhe edukim dhe vetëdijesim e ndotësve dhe qytetarëve për pasojat e ndotjes së ajrit.

KOHA: Si i vlerësoni masat që janë ndërmarrë deri tani nga institucionet dhe si kanë ndikuar ato në uljen e ndotjes?

Veselaj: Një përparim është arritur në fushën e identifikimit të burimeve ndotëse, monitorimit dhe raportimit në kohë reale për shkallën e ndotjes. Kjo ka ndodhur më shumë falë kërkesave të institucioneve ndërkombëtare por edhe mbështetjes financiare nga ana e donatorëve (EU, Sida, JICA etj.) si dhe punës së Agjencisë së Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit si institucion monitorues dhe raportues.

Prej vitit 2018, ndotja e ajrit ka marrë një dimension më serioz të trajtimit nga ana e institucioneve, që ka ardhur nga presioni ndërkombëtarë, por edhe shqetësimi gjithnjë në rritje i publikut për ajrin që thithet. Këto sollën edhe protestat e para për cilësinë e ajrit. Ndalimi i përdorimit të qymyrit në institucionet publike (fatkeqësisht i vënë në pikëpyetje sivjet), subvencionimi në eficiencën energjetike janë disa hapa të vegjël por të vlefshëm. Investimet në energjinë e ripërtëritshme (era, dielli) në disa zona të Kosovës, që më shumë janë rezultati i invenstimeve private megjithatë janë kontribut modest drejt zvogëlimit të nivelit të ndotjes nga energjia me bazë fosile. Këto kanë sjell një përmirësim të vogël por ende larg nga cilësia e kënaqshme të ajrit që thithim. Çdo megavat energjie më pak i prodhuar nga lëndët fosile, nënkupton më pak ndotje të ajrit me ndikim në shëndetin publik dhe posaçërisht më pak CO2 dhe gaze me efektin serrë në atmosferë.