Aplikacioni që paralajmëron shoferët për rrugët me “historinë e aksidenteve”

Aplikacioni Waze ka marrë një tjetër funksion shumë të dobishëm që do të rrisë sigurinë e përdoruesve në vetura.

Waze është një nga aplikacionet e navigimit që shumë njerëz e preferojnë për informacione rreth kushteve të rrugëve dhe aksidenteve të mundshme në trafik dhe tashmë një tjetër funksion shumë i dobishëm që paralajmëron përdoruesit për rrugët ku janë regjistruar një numër i madh aksidentesh është në fazën e testimit. Ky informacion është mbledhur bazuar në të dhënat nga komuniteti Waze.

Versioni beta i aplikacionit Waze paralajmëron për rrugët e afërta që janë me rrezikshmëri të lartë kur bëhet fjalë për aksidente trafiku dhe i shënon me të kuqe në hartë. Megjithatë, aplikacioni nuk do t’i shënojë ato nëse përdoruesi i përdor shpesh këto rrugë, por tregon vetëm një njoftim “pop-up” për rrugët e rrezikshme për të qenë më i kujdesshëm.

Funksioni është aktualisht në versionin beta, por së shpejti do të arrijë te të gjithë përdoruesit e Waze. Ata që nuk e duan, do të kenë mundësinë ta çaktivizojnë në seksionin e cilësimeve të njoftimeve.

Ky është një nga funksionet e para të reja që ka marrë Waze pasi aplikacioni është nën kontrollin e grupit që mbikëqyr gjithashtu Google Maps. Aplikacioni është i disponueshëm në 50 gjuhë.