Zyrtare: UNICEF sjell sonte në Kosovë shiringat për vaksinën kundër COVID-19

Shefi i zyrës së UNICEF-it (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë) në Kosovë, Murat Sahin përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter, ka thënë se shumë shpejt do të ndajë detaje për mbërritjen e vaksinës kundër COVID-19 në Kosovë.

Sahin e bëri këtë koment derisa njoftoi se përmes një fluturimi janë sjellë në Kosovë, dërgesa e parë e shiringave që do të përdorën për vaksinën kundër COVID-19.

“Fluturimi i sotëm do të sjellë dërgesën e parë të shiringave që do të përdoren me vaksinat (kundër) COVID-19 në Prishtinë. Së shpejti, detaje për mbërritjen e vaksinave. Së bashku mundemi”, ka shkruar Sahin në Twitter

Më 5 janar, në një postim në Facebook, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj pati konfirmuar sigurimin e 500,000 vaksinave kundër COVID-19 nga kompania farmaceutike PfizerBioNTech.

Por nga kjo kompani vazhdimisht kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se negociatat me Kosovën ende po vazhdojnë.

Në një takim të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me COVID-19, të mbajtur të hënën, më 22 shkurt, nuk është diskutuar thuajse fare se kur do të mund të fillojë vaksinimi i qytetarëve të Kosovës.

Përkundër kësaj, vaksinën e AstraZenecas dhe Oxford-it, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX.

Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI), Aleanca për Vaksina (GAVI), dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), si bashkudhëheqës të programit ndërkombëtar COVAX, ka njoftuar se planifikon të nisë dërgesën e parë në muajin mars në shtetet e ndryshme.

Por, disa dërgesa janë bërë edhe këtë javë tek ato shtete që i kanë plotësuar kriteret.

Kosova pret të marrë nga COVAX-i rreth 100.800 doza të vaksinës AstraZeneca dhe Oxfordit.

Programi i COVAX-it ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra