Zyrtare: Hekuran Berisha transferohet te FC Dinamo City, KF Dukagjini njofton largimin e futbollistit

Klubi Futbollistik Dukagjini ka njoftuar zyrtarisht largimin e futbollistit Hekuran Berisha, i cili ka firmosur me ekipin shqiptar FC Dinamo City, pjesëmarrës në elitën e futbollit shqiptar.

Në një postim të bërë në rrjetet sociale, klubi nga Klina ka konfirmuar marrëveshjen me klubin shqiptar për transferimin e lojtarit, duke theksuar se ndonëse kjo është një ndarje e dhimbshme, ajo është njëkohësisht edhe një moment krenarie për të gjithë strukturën e Dukagjinit.

“Hekurani nuk është vetëm një lojtar i rritur në gjirin e klubit tonë. Ai është simbol i përkushtimit dhe punës. Që nga hapat e parë e deri te debutimi dhe paraqitjet me ekipin e parë, ai ka treguar profesionalizëm, qetësi dhe pjekuri përtej moshës së tij,” thuhet në njoftimin e klubit.

Nga KF Dukagjini, Berisha është rritur si futbollist duke kaluar të gjitha fazat e zhvillimit dhe duke u shndërruar në një element të rëndësishëm për ekipin e parë në vitet e fundit.

Klubi i uron Hekuranit suksese në aventurën e re në kampionatin shqiptar, duke theksuar se dyert e Dukagjinit do të mbeten gjithmonë të hapura për të.

“Faleminderit për gjithçka, Hekuran,” përfundon postimi i klubit klinas, i shoqëruar me një fotografi të lojtarit dhe një zemër jeshile si simbol i identitetit të klubit.