AKB: Ndërtimtaria në Kosovë po dëmtohet nga inflacioni i madh

Sektori i Ndërtuesve dhe Prodhuesve të Materialit Ndërtimor, në kuadër të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka mbajtur një konferencë për media me temën “Pengesat dhe sfidat e sektorit të ndërtimtarisë në Kosovë”.

Brahim Selimaj, kryetar i Sektorit të Ndërtuesve dhe Prodhuesve të Materialit Ndërtimor në AKB-së, ka thënë se pranvera e vitit 2020 solli pandeminë COVID-19, e cila shënoi një epokë dhe sfidë të re edhe për Kosovën dhe institucionet e saj në të gjitha drejtimet.

Ai ka thënë se ndikimi i pandemisë ishte jashtëzakonisht i madh në përmbushjen e detyrimeve kontraktuale në projektet kapitale.

“Ne si Shoqatë e Ndërtuesve dhe Prodhuesve të Materialit Ndërtimor te këtij dikasteri kemi shumë vështirësi në furnizime me material, ekzekutime të punimeve, mungesë të fuqisë punëtore për realizimin e punimeve të parapara për kontratat e nënshkruara paraprake. Bazuar në kontratat e përgjithshme të ndërtuesve të Kosovës në bazë të Nenit 18, pika B, për shkak të Forcës Madhore, kërkohet zgjatje e afatit të punimeve, si dhe rishikim i çmimeve për shkak të inflacionit që ka ndodhur muajve të fundit dhe që është e papërballueshme për kompanitë si kontraktues të punimeve në ekzekutimin e punimeve të ulëta dhe të larta”, u shpreh ai.

“Në kontratë është precizuar se forcë madhore është pandemia dhe si e tillë sipas shpjegimit të Nenit 38, pika 1, cituar më poshtë, mund të thuhet se kjo Pandemi dhe situata e krijuar për shkak të sigurisë dhe sidomos lufta në Ukrainë ka një çrregullim të tregjeve globale në përgjithësi, andaj kemi të bëjmë me një rritje enorme të të gjitha produkteve baze që variojnë nga 40 deri në 100% të ngritjes së çmimeve. Mu për këtë kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në bazë të ligjit të marrëdhënieve detyrimore në bazë të Nenit 651, ku parasheh ngritjen e çmimeve të materialit ndërtimor më tepër se 2%, atëherë investitori obligohet që të pranojë këtë ndryshim për të gjithë punëkryesit, përndryshe të gjitha kompanitë tenderuese do të falimentojnë. Nëse bëhet injorimi nga Qeveria-lidhëse nga investitorët do të ketë ndërprerje të punëve të mëtutjeshme”.