Zenun Elezaj: Urime VV-së për fitoren, i hapur për bashkëpunim institucional

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka reaguar pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe kulturën e lartë qytetare të treguar gjatë zgjedhjeve.

Në mesazhin e tij, Elezaj theksoi se procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë demokratike dhe pa incidente, duke e cilësuar këtë si një shembull të pjekurisë politike dhe përgjegjësisë së lartë, si nga subjektet politike ashtu edhe nga vetë qytetarët e Klinës.

Ai falënderoi në veçanti anëtarët e AAK-së, aktivistët, mbështetësit dhe të gjithë ata që besuan në programin dhe vizionin e kësaj partie.

Po ashtu, kryetari i Klinës uroi Lëvizjen Vetëvendosje! për rezultatin e arritur në zgjedhje, duke shprehur shpresën që institucionet e reja të formohen sa më shpejt, me qëllim të angazhimit dhe bashkëpunimit në realizimin e projekteve në interes të qytetarëve.

Në fund, Zenun Elezaj ritheksoi se, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Klinës, do të jetë i hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet, për të mirën dhe zhvillimin e qytetarëve të komunës.