SHBA-ja ia kërkon Kosovës themelimin e Asociacionit dhe shtyrjen e vendimit për targa

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës e Serbisë t’i ulin tensionet e ta vazhdojnë dialogun, duke iu kërkuar që t’i respektojnë obligimet e marra në dialog.

Në një përgjigje për KOHËN, Ambasada e SHBA-së në Kosovë, tha të dielën se Kosova duhet ta zgjasë procesin e riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj qytetarëve serbë që i posedojnë targat serbe me akronime të qyteteve të Kosovës.

SHBA-ja tha se çështja e targave duhet të zgjidhet mes palëve në kuadër të dialogut, e Kosova sipas SHBA-së, duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni duhet të krijohet, gjë që e bën themelimin e tij obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e saj”, thuhet në deklaratën e SHBA-së.

Në përgjigje për KOHËN, SHBA-ja tha se pajtohet me deklarimet e Bashkimit Evropian se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese, me ç’rast sipas SHBA-së, këto marrëdhënie e rrezikojnë “procesin e rëndësishëm të arritur në dialog”.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Të gjithë të përfshirët duhet të ndërmarrin hapa për t’i ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshëm dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, thuhet tutje.

Rruga e dialogut, sipas SHBA-së është e vetmja në garantimin e stabilitetit.

“Veprimet, të tilla si djegia e makinave ose retorika frikësuese, janë të papranueshme dhe do të nxisin një reagim nga komuniteti ndërkombëtar. Iu bëjmë thirrje atyre që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar për të lehtësuar negociatat. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

SHARE