Zafir Berisha: E llogaris veten ushtar besnik të Kosovës, të gjitha armët i kam në shtëpi

Ish-deputeti Zafir Berisha, po ashtu ish-ushtar i UÇK-së, në emisionin DPT te Fidani ka thënë se po të ketë nevojë atdheu luftëtarë, ai është i gatshëm të shërbejë si i tillë.

Ai ka thënë se, megjithatë, Kosova tash është në një situatë tjetër, e jo siç ka qenë në kohën kur ai ishte pjesëtar i UÇK-së, pasi tash vendi i ka institucionet e veta të sigurisë.

“Unë i kam të gatshme në shpi armët e legalizume. Normalisht, tash Kosova është në një situatë tjetër, ka institucione, por gjithsesi unë vazhdoj me llogaritë vetën ushtar besnik të shtetit të Kosovës, jo veç unë por besoj edhe një numër shumë i madh i luftëtarëve”.

“Për sa të kam jetë, nuk di ndryshe. Të gjitha i kam, si ish-ushtar i UÇK-së. Jam i gatshëm kurdo që ka nevojë atdheu dhe normal kur thirrin edhe institucionet se koha kur kemi vepru ka qenë krejt ndryshe, sot është krejt ndryshe”.

Berisha ka shtuar se fitorja e Policisë së Kosovës ndaj terroristëve serbë në Banjskë, ishte “fillimi i një beteje më të madhe”.

“Ishte ndjenjë pozitive, por unë nuk isha pjesë e atyre që gjatë gjithë kohës kanë bërë tifozeri. Sepse ngjarja ishte veç fillimi. Dhe duke njoftë Serbinë dhe operacionet luftarake, një pjesë e jona, e kemi llogaritë edhe hala e llogarisim si fillimi i një beteje më të madhe në rast se nuk do të ketë ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare”.

“Kjo është një betejë e fituar karshi një lufte që e kemi përpara me Serbinë”, deklaroi ai