Policia: Alarmi për bombë në aeroportin “Adem Jashari” ishte i rremë

Policia e Kosovës ka njoftuar se alarmi për bombë në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, ishte i rremë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë është rihapur aeroporti “Adem Jashari”.

“Pas realizimit të kontrollit në objekte dhe hapësira të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ka rezultuar se nuk ka ndonjë mjet shpërthyes, dhe se kanosja me mjete shpërthyese ka qenë një alarm i rremë me qëllime të caktuara. Pas përfundimit të kontrollit dhe punëve nga institucionet relevante, funksionimi dhe qarkullimi në aeroport i është kthyer normalitetit, andaj i falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar me institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.