Votohet qeveria e re, Avdullah Hoti kryeministër i Kosovës

Me 61 vota për, 24 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë zgjedhur qeverinë e re me Avdullah Hotin kryeministër, raporton Gazeta Sinjali.

Paraprakisht, Avdullah Hoti prezantoi planin dhe prioritetet e qeverisë. Në anën tjetër, edhe deputetët opozitarë mbajtën fjalimet e tyre.

Gjykata Kushtetuese më 28 maj e shpalli aktgjykimin që i dha të drejtë formimit të Qeverisë Hoti.

Me shumicë votash, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese e cilësuan të drejtë dhe në përputhje me kushtetutën e vendit vendimin e presidentit Hashim Thaçi për t’ia dhënë mandatin për formimin e qeverisë së re Avdullah Hotit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Kësisoj, ish-kryeministri, Albin Kurti do të duhet ta lëshojë karrigen e pushtetit për t’u kthyer sërish në opozitë.

Pasi Kurti i shkruante “zgjedhje” në cdo kthim letre presidentit që ia kërkonte emrin e propozimit për mandatar të ri pas rrëzimit të qeverisë, ky i fundit më 30 prill kishte vendosur që ta mandatonte të nominuarin e LDK-së, Avdullah Hotin si mandatar për formimin e qeverisë së re.

Në po të njëjtën ditë, LVV ishte ankuar në Kushtetuese dhe kishte arritur ta parandalojë formimin e shpejtë të Qeverisë Hoti, pasi gjykata vendosi masën e përkohshme, e cila e pezulloi dekretin e presidentit.

Pzullimi u anulua me publikimin e aktgjykimin të Kushtetuesës, i cili i dha dritë të gjelbër formimit të qeverisë së re me LDK-në, AAK-në, Nismën dhe minoritetet.

Votimi i sotëm i qeverisë së re, për herë të parë i dërgon së bashku në opozitë LVV-në e PDK-në. /