Gruaja në Pejë denoncon ish-burrin për dhunë, thotë se e rrahu në prezencë të nënës së saj

Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga dhuna edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe. Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre.

Ndihmën e Policisë së Kosovës, e ka kërkuar së fundi edhe një grua në fshatin Lybeniq të Pejës, e cila ka denoncuar ish bashkëshortin e saj.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë zbardhur detaje nga dëshmia e 24-vjeçares, e cila ka deklaruar se ish bashkëshorti e ka sulmuar fizikisht në prezencën e nënës së saj. E njëjta ka njoftuar Policinë se ish vjehrri i saj posedon armë zjarri në shtëpi.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo s’kanë gjetur asgjë të dyshimtë. Ndërkohë 28-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.