Von der Leyen kërcënon Putinin: Do ta godasim në pikën e dobët nëse pushton Ukrainën

Nëse Rusia pushton Ukrainën, do të shkëputej nga tregjet financiare ndërkombëtare”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për televizionin publik gjerman ARD.

Masat do të godasin “të gjitha mallrat që prodhojmë, të cilat Rusisë i duhen urgjentisht për të modernizuar dhe diversifikuar ekonominë e saj, ku ne jemi dominues globalisht dhe ato nuk kanë asnjë zëvendësim”, shtoi ajo.

“Është shumë e qartë se nëse Presidenti rus Vladimir Putin fillon një luftë, ne do të përgjigjemi me instrumentin më të fuqishëm që kemi dhe në pikën më të dobët që ka Rusia: me sanksione ekonomike dhe financiare”, tha von der Leyen.

“Pika e qartë e dobët e Rusisë është një ekonomi e bazuar në energjinë e karburanteve fosile”, tha ajo, duke iu referuar 2/3 e eksporteve të naftës, qymyrit dhe gazit.

Ajo i kërkoi Putinit të kthehet në tryezën e bisedimeve, por pohoi se nëse zgjedh luftë, do t’i përgjigjen me pasoja të rënda.