Vodhi tri dele, dy qura dhe 10 pula – një vit burg dhe 900 euro gjobë për pejanin

I akuzuari, është dënuar me 1 vit burgim dhe 900 euro gjobë, pasi ka pranuar se në muajt prill dhe maj 2016, në Komunën e Pejës, ka vjedhur tri dele, dy qura dhe 10 pula.

Një vendim të tillë, e ka marrë gjykatësi i Gjykatës Themelore në Pejë, Murat Hulaj, më 15 tetor 2020, pasi i akuzuari e ka pranuar fajësinë në seancën fillestare të 14 tetorit 2020, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për veprën penale nga dispozitivi i parë i aktakuzës, ai është dënuar me 300 euro gjobë, për veprën penale nga dispozitivi i dytë me 300 euro, si dhe për veprën penale nga dispozitivi i tretë, me 1 vit burgim dhe me 300 euro gjobë. Ashtu që gjykata, të akuzuarin e ka dënuar me dënim unik prej një viti burgim dhe 900 euro gjobë.

Ndërkaq, palët e dëmtuara në këtë rast, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, janë udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, në nëntor të 2016-ës ka ngritur aktakuzë ndaj tij, me arsyetimin se ai në prill 2016, në një fshat të Pejës në bashkëveprim me një të mitur, me qëllim të përvetësimit te kundërligjshëm për vete, marrin sendin e luajtshëm të personit tjetër dhe atë të dëmtuarit, në atë mënyrë që pasi që i dëmtuari ishte duke i dërguar bagëtinë për në Stallë, gjatë rrugës ata ia marrin tri dele dhe më pas të njëjtit largohen nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, ai akuzohej se në bashkëveprim ka kryer vepër penale “Vjedhja” nga neni 325, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /