​Kosova siguron grurin për këtë vit

Bujqit e Kosovës po arrijnë të sigurojnë gjysmën e sasisë së grurit që nevojitet dhe detyrimisht vendi ynë mbetet i varur nga importi. Derisa ekspertët thonë se ka indikacione për pasiguri ushqimore, përfaqësues të Shoqatës së Mullistëve, kanë siguruar se Kosova për këtë vit nuk do të ketë krizë për grurë.

Rezervat e grurit nga disa ditë në disa muaj janë rritur edhe te produktet e rezervës shtetërore. Kurse, Serbia ka rikthyer tregtimin e grurit me Kosovën pas pezullimit të eksportit drejt vendit tonë. Nga dita e martë, më 4 maj, importuesit kosovarë të drithërave kanë nis të blejnë grurë nga ky shtet fqinjë.

Ndalimi i grurit nga Serbia ishte bërë nga 10 marsi për shkak të krizës së shkaktuar nga invazioni ushtarak rus në Ukrainë.

Kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu ka thënë për KosovaPress, se grurë për mullisë ka të mjaftueshëm deri në në korrik dhe pastaj vjen sezoni i të korrurave për grurë.

“Grurë për mullisë ka të mjaftueshëm deri në sezonin e ardhshëm, deri në korrik… Pastaj vjen sezoni i të korrurave për grurë. Në këtë vit nëse ka rendiment të mirë, ka të mbjelle pak më shumë se në vitin e kaluar dhe mund të kemi 50-60 përqind plotësim të nevojave për treg… Kanë filluar edhe importet e grurit prej Serbisë nga dita e martë, më 4 maj… Është më i lirë çmimi i grurit nga Serbia se sa që ka qenë prej tregut bullgarë… Tregu kryesor për import të grurit mbetet Serbia…Edhe nëse nuk kishte me u importuar më asnjë kilogram grurë, deri në Vit të Ri ka grurë në Kosovë”, thotë ai për KosovaPress.

Ndonëse, afaristi Zejnullahu nuk ka treguar nëse do të ketë zbritje të çmimit të miellit pas krijimit të rezervave të mjaftueshme me grurë.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari thotë se deri tash nuk ka vështirësi për import të grurit dhe miellit. Ministrja Hajdari thekson për KosovaPress, se kanë siguruar mjaftueshëm grurë për tregun e Kosovës, që sipas saj, nuk ka vend për panik.

“Deri tash nuk kemi hasur në mangësi për furnizime, por kemi pasur parregullsi te sektori i vajit ku kemi gjetur depot që kanë fshehur furnizimin dhe këto manipulime janë ato që po sjellin më shumë panik për furnizim dhe po sjellin më shumë pasiguri. Ne po ashtu po veprojmë edhe me rritjen e rezervës shtetërore në 10 milionë euro. Dhe rezerva është jo më për çështje ditësh, por për çështje muajsh. Si ministre kërkojë që të kemi edhe më shumë stabilitet, sepse lufta në Ukrainë, ka një të ardhme që nuk i dihet dhe ne po përgatitemi sa më shumë. Deri më tash kemi siguruar mjaftueshëm, por edhe në korrik vijnë kultivuesit tonë grurit dhe ofrojnë edhe më shumë për rezervën shtetërore… Tash për tash me rezervat që kemi rritë dhe me kultivuesit e verës (drithërave), ne do të krijojmë edhe më shumë stabilitet. Tash për tash nuk ka vend për panik”, thotë ministrja Hajdari.

Në anën tjetër, profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci thotë se qeveria nuk duhet ta neglizhojë çështjen e sigurimit të ushqimeve ose drithërave për qytetarët e Kosovës, pasi që sipas tij, kriza në tregjet globale dhe çmimet në burës janë të çrregulluara si pasojë e luftës në Ukrainë

Ne duhet të synojmë edhe pika të tjera ku mundësohet eksporti për të siguruar ushqimin bazë, përkatësisht te drithërat, mirëpo që të neglizhohet kjo dhe që të jenë të pakujdesshëm ndaj një raporti të çmimit në bursën ndërkombëtare, është e pajustifikueshme, qoftë për dikasteret përkatëse ose për nivelin qeveritar dhe për fermerët. Pra, neve na duhet një vetëdijesim, bujqësisë duhet t’ia japim tretmanin që duhet ta ketë… Nëse i referohemi të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë se janë të mbjella më pak se 70 mijë hektarë me grurë dhe nëse kemi parasysh se në këtë vit konform sondazheve që kryejmë në terren, pritet një rendiment mesatar jo më i lartë se sa i viteve të kaluara, konstatimi është i qartë se ne mund të sigurojmë vetëm gjysmën e ushqimit për nevoja të drejtpërdrejta.., Kështu që edhe në këtë vit do të varemi nga shkalla e importit dhe në këtë konstalacion mendoj se mekanizmat përkatës në nivel shtetëror duhet të kenë sy çelë dhe kujdesshëm që të njëjtat t’i kontraktojnë me kohë dhe që të mendohet seriozisht edhe të sigurohet një sasi e konsiderueshme e rezervave shtetërore të cilat na mungojnë në nivel vendi ”, thotë ai.

Sipas profesorit Rusinovcit, çmimet e grurit janë dyfishuar, një kilogram grurë në Kosovë ka arrit 0.40 cent sa ka qenë në vitin e kaluar 0.18 cent. Ai thotë se ka indikacione që shpijnë në pasiguri ushqimore.

Potencialet tona prodhuese deri më tani kanë mundësuar sigurimin e gjysmës së sasisë së ushqimit, kështu që ne kemi qenë të varur nga importi. Mund të themi hipotetikisht se nuk ka problem rreth importimit, por ajo çështje është relative. Nesër kushtimisht mund të ketë një çrregullim, krizë ekonomike, mbyllje të kufijve ose ka vende të caktuara që ka ndaluar eksportin e drithërave jashtë territorit të tyre, kjo koincidencë me faktin që shpie në pasiguri ushqimore. E dyta, është çështja e çrregullimit të çmimit në burës ndërkombëtare. Ne në vitin e kaluar në përfundimin e fushatës së korre-shirjeve, kemi pasur çmimin e grumbullimit të grurit 0.18 cent, sot është më shumë se dyfish, është rreth 0.40 cent”, thekson ai.

Sa i përket çmimeve, ministrja Hajdari thotë se janë duke monitoruar tregun dhe për çdo parregullsi do të marrin masa.

“Ne jemi duke shikuar tregun përmes inspektoratit të tregut, njëkohësisht edhe qytetarët janë shumë aktiv dhe si ministër jam në dy paralele që punojë, me zërin e qytetarëve dhe me inspektoratete. Dhe çdo shkelje, çdo rritje e çmimit që është jashtë normës, jashtë asaj se çka është në burës dhe çka shitet e si shitet në Kosovë, veprohet në Ministrinë e Industrisë, respektivisht edhe në qeveri”, thekson ajo.

Invazioni ushtarak rus në Ukrainë ka thelluar ndikimet e saj në tregjet ndërkombëtare dhe një krizë e tillë ka goditur edhe ekonominë e Kosovës duke sjellë shtrenjtim për të gjitha produktet./kp/