Vazhdon trajtimi i kryetarit të Malishevës, kjo është gjendja e tij pas infektimit me COVID-19

Si pasojë e infektimit me COVID-19, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj është në gjendje jo të mirë shëndetësore,

Lajmin e ka bërë të ditur për Sinjalin nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili tha se ditëve të fundit parametrat janë më stabil mirëpo në përgjithësi gjendja mbetet e palakmueshme.

“Parametrat i ka më stabil këto dy tri ditët e fundit, po e shohim që po shkon kah stabilizimi por në përgjithësi gjendja hala mbetet jo e lakmueshme, jo e mirë”, tha ai.

Tutje Berisha tregoi që trajtimi i kryetarit po vazhdon në Klinikën Infektive të QKUK-së, teksa për të po përkujdesen edhe dy fëmijët e tij.

“Ai po vazhdon trajtimin në Klinikën Infektive të QKUK-së, nuk e kemi lëviz hala prej aty”.

“Familjarët janë duke u kujdesur vazhdimisht për të, i ka edhe fëmijët profesionistë shëndetësorë, të dy punojnë në QKUK, ata po kujdesen herë pas herë, përkundër stafit esencial, përndryshe na vetëm mundemi me pa prej dritares, përndryshe nuk kemi të drejtë me hy brenda”, u shpreh Berisha