Vali Corleone përfundon në Psikiatri, kërcënoi prindërit

Fenomeni i rrjeteve sociale, Valentino Corleone, ka përfunduar në Institutin e Forenzikës Psikiatrike, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj prindërve të tij, ka njoftuar Gjykata Themelore në Gjilan.

Kjo gjykatë ka miratuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh, e të cilën dyshuari do ta mbajë në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë, me qëllim të ekzaminimit dhe observimit në këtë institut.

Policia e Kosovës ka arrestuar parmbrëmë të njëjtin për dhunë ndaj prindërve.

Komunikata e plotë:

Gjykata dërgon të pandehurin në Institutin e Forenzikës Psikiatrike, pasi që dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj prindërve

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit P. C., të cilën masë duhet të mbajë në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë, me qëllim të ekzaminimit dhe observimit në këtë Institut.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me qëllim të frikësimit dhe të ankthit ka përdorur dhunë psiqike ndaj babait të tij, në atë mënyrë që tek i njëjti përmes sjelljeve dhe fjalëve të tij nxit frikë, duke e kanosur me fjalë të ndryshme dhe të njëjtin duke tentuar të largoj nga shtëpia, ashtu që hynë në dhomën e prindërve ku kanë qenë duke fjetur dhe me ton të lartë dhe duke i bërtitur i kanos “i ki 24 orë me ma liru shpijën se dijë çka të gjen”, kështu i dëmtuari detyrohet të largohet nga shtëpi.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale dhunë në familje, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës, ka caktuar masën e paraburgimit, i njëjti është një recidivist i kryerjes së veprave penale në kuadër të familjes.