Shtyhet seanca gjyqësore ndaj Nezir Mehmetaj, i paraburgosur në Serbi

Nezir Mehmetaj, qytetar nga Rudica e Komunës së Klinës, është arrestuar nga policia serbe me tre janar të vitit 2020 në vendkalimin kufitar në Merdarё, nën akuzat për kryerje të krimeve të luftës ndaj popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Që atëherë, ai gjendet në paraburgim në Serbi. Seanca e paraparë të zhvillohej sot është shtyerë për të nesërmen pas mungesës së njërit nga gjykatësit e trupit gjykues

Seanca gjyqësore ndaj Nezir Mehmetaj e planifikuar për t’u zhvilluar ditën e enjte është shtyrë për mëngjesin e së nesërmes.

Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar vëllau i tij, Valon Mehmetaj.

“Seanca është shtyrë për nesër në ora 10:30 si arsyetim në mungesë të njërit nga gjykatësit e trupit gjykues”, ka thënë ai.

Nezir Mehmetaj, qytetar nga Rudica e Komunës së Klinës, është arrestuar nga policia serbe me tre janar të vitit 2020 në vendkalimin kufitar në Merdarё, nën akuzat për kryerje të krimeve të luftës ndaj popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Sipas një përgjigjeje për Portalin Dukagjini nga ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës thuhet se deri tani janë mbajtur mbi 15 seanca gjyqësore ndaj z.Mehmetaj dhe seanca e radhës është caktuar për datën 20 prill 2023.

Mehmetaj është duke u mbajtur në Burgun Qendror (‘Centralni Zatvor-CZ’) dhe ndaj tij është ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit, teksa gjykimi i tij ka filluar në muajin prill të vitit 2021.