Sëmundja e gruas, arsyeja e dorëheqjes së Mehajt nga pozita e ministrit

Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për dorëheqjen e Armend Mehajt nga pozita e ministrit së Mbrojtjes.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se ministri, Armend Mehaj ka kërkuar lirim nga detyra për shkak të sëmundjes së gruas së tij.

“Ministri Armend Mehaj ka kërkuar lirim nga detyra për shkaqe familjare. Gruaja e tij është diagnostifikuar me një sëmundje të rrallë dhe për çka i duhet tretman dhe kujdes në një qytetet tjetër nga ai i Oslos. Çifti i ka tri vajza të moshës së mitur dhe ministri Mehaj ka kërkuar që të ndodhet pranë familjes në këtë kohë”, ka thënë Kryeziu, për Telegrafin

Armend Mehaj të martën ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të e Mbrojtjes.

Ndërsa, Ejup Maqedonci e ka pranuar edhe zyrtarisht detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, të martën gjatë një ceremonie të dorëzim-pranimit.

Maqedonci do ta udhëheqë Ministrinë e Mbrojtjes, pasi u emërua në këtë pozitë nga kryeministri Albin Kurti menjëherë pas dorëheqjes së paraardhësit të tij Armend Mehaj.

Mehaj, në një postim në Facebook, përmendi disa prej arritjeve që tha se janë realizuar gjatë mandatit të tij në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.