Shkruan: Lekë Mrijaj
Kosovë, të shikoj, dhe sikur s’të njoh më.
Dikur, Kosovë, të shihja si një shpresë jete, më konkretisht, si një ikonë monumentale, të skalitur në bronz, me gjakun e paraardhësve dhe heronjve tanë të përjetshëm: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, rilindasit kombëtarë, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Adem Jashari… etj. Po, po, edhe me lotët e nën’lokëve tona, me flamurin kuqezi, me këngët e dasmave të ndaluara dhe me psherëtimat e meshave të shqiptuara në heshtje në gjuhën shqipe nëpër katedralet tona të shenjta…
Ty, Kosovë, të kam dashur pa kushte.
Pavarësisht varfërisë sate, barrikadave, burgjeve, apo plagëve të tua të pashëruara, të kam dashur. Të kam dashur edhe më shumë, kur nuk ishe as e lirë, as e njohur, por ishe e imja, plotësisht shqiptare, e tëra e jona. Por tani… duket sikur je stërkequr, e je lodhur nga ne. Ose, më mirë të them: ne jemi lodhur nga Ty. Dhe kjo më dhemb. Pikërisht më shqetëson më shumë se çdo padrejtësi që na kanë servuar a “dhuruar” armiqtë tanë, ata mesjetarë aziatikë, haxhiqamilët, e perandoritë sllavo-ortodokse e komuniste që na pushtuan për shekuj dhe na vranë.
Kosovë e dashur, sot të gjithë po të braktisin. Të rinjtë e të rejat tuja, ata që dikur në kopshtet e arat tua mbillnin, lisa me rrënjë, fruta të ëmbla, lule të njoma me aromë dhe ëndrra të këndshme. Ndërsa sot mbjellin shpresat e tyre nëpër botë. Përjashto fëmijët e politikanëve mujsharë, pa kurriz, që i kanë rrënjët të rreme siq thotë populli “si gardhi në ujë…”.
Politikanët e sotëm, hijena e analfabetë, betohen si farisejt biblik në emrin tënd, por flenë në rezidenca të ndërtuara me djersën e popullit. Rezidenca që s’kanë asnjë ngjashmëri me kasollet e varfëra ku është rritur rinia e kësaj toke.
Priftërinjtë dhe hoxhallarët, që dikur luteshin për Ty – sot luten vetëm për veten. E familjet… ato që dikur ndanin një kafshatë bukë në emrin tënd, sot mbyllin derën, edhe për fqinjët që kërkojnë një pikë ndihme, një fjalë, një uratë, një mëshirë për jetën e tyre…
Ti, Kosovë, je kthyer në fjalë për marketing politik, në imazh për fotografi zyrtare. por jo më në shpirt dashurie për të jetuar. Kosovë, nuk e di nëse më dëgjon… por sot e them me plotë kuptimin e fjalës se nuk ka më kush që të japë pa llogari: as gisht, as dorë, as zemër, asgjë hiq…
Kosovë, të kanë keq’përdorur. Të kanë shkërmoqur copë-copë. Të kanë zbukuruar me fjalë boshe, e të kanë zhveshur nga morali. Mua (dhe të tjerëve si unë), kjo më vret. Më vret që të dua ende, kur të tjerët vetëm të shfrytëzojnë. Më vret që ende jam këtu, në rrënjët e tua, duke u përpjekur të të mbroj me fuqinë e metaforës, të dashurisë romantike dhe të psalmeve të reflektimit – ndërkohë që të tjerët veç të shesin për pak euro, për interesin e tyre personal.
E di, Kosovë – ti nuk je fajtore. Je lodhur nga bijtë e bijat që nuk dinë të jenë të tuat. Je zhgënjyer edhe nga ne – ata që Ty ta ndritëm emrin në artin pamor, në psalme, në këngë me çifteli… por që ta errësuam dritën në realitet. Dhe unë, biri yt, të kërkoj falje në uratën hyjnore: “Për fajin tim, për më të madhin fajin tim…” Kosovë, unë Ty të jap gjithçka pa asnjë interes: metaforën pozitive: uratën, fjalën e Fjalës, gishtin, dorën dhe, nëse duhet, gjithë jetën time. Pavarësisht… Sepse ti je më shumë se një tokë. Ti je plagë, je kujtim, je shpresë, je dashuri, je betimi im i fundit. Je e vetmja që më ke mbetur.
Klinë, me 26 korrik 2025.