Kosova ende pa sistem unifikues të çmimit të barnave

Nëntor 2019

Kanë kaluar mbi 6 muaj, që kur Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, nënshkroi Udhëzimin Administrativ për unifikimin e çmimit të barnave.

Kanë kaluar mbi gjashtë muaj, që kur u tha se do të ketë barna më të lira në tërë Kosovën.

Ministri në detyrë i shëndetësisë, Uran Ismaili, në maj të këtij viti, njoftoi opinionin se ka nënshkruar një Udhëzimin Administrativ, përmes të cilit e rregullon dhe unifikon çmimin e barnave.

Por, një ndryshim i tillë, ende nuk erdhi në Kosovë.

Në këtë ministri, thonë që tani janë duke u bërë përgatitjet e fundit, që qytetarët më në fund të shërbehen me çmimet të njëjta të barnave në të gjitha barnatoret e Kosovës.

“Përveç që janë njoftuar farmacitë, ato edhe e kanë kryer aplikimin për deklarim të çmimit të barnave. Nëse dinamika e planit shkon sic duhet, pritet që në fillim të vitit të ardhshëm, në mars ti kenë të deklaruara çmimet”, Faik Hoti, Zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë.

Hoti, tregon se si do të caktohen çmimet e barnave në barnatoret e vendit.

“Merret një çmim së paku në tri shtete, dhe nxjerrët mesatarja dhe kështu vendoset mesatarja”, Faik Hoti, Zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë.

Se qytetarët do të kenë mundësi të blejnë barna me çmime të njëjta që nga marsi, e thonë edhe në Odën e Farmacistëve të Kosovës.

Për këtë, kryetari i kësaj ode, Arjanit Jakupi thotë që janë lajmëruar edhe farmacitë në vend.

“Barnatorët kanë njoftime për procesin  dhe për ato produkte që do të vendosen çmimet”, Arjanit Jakupi, Oda e Farmacistëve.

Tutje, Jakupi tregon se cilat produkte medicinale parashihet të kenë çmimet të unifikuara me këtë udhëzim administrativ.

“Aty hyjnë të gjitha produktet medicinale me banderola, dhe pas përfundimit të këtij procesi, çmimet do të jenë të shtypura në banderola”, Arjanit Jakupi, Oda e Farmacistëve

Në fund, Jakupi thotë që më këtë, synohet që farmacisti të koncentrohet më shumë në shërbim ndaj pacientit, e jo në çmimin e barnave.

Ndryshe, Kosova dhe Bjellorusia ende mbesin dy vendet e vetme në Evropë, që nuk e kanë të instaluar një sistem unifikues të çmimit të barnave