Regjistrimi nxori shifrat: Mbi 100 mijë shqiptarë jetojnë në Luginë

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Serbi i cili filloi me 1 tetor dhe do të përfundojë të hënën e 31 tetorit, sipas rezultateve preliminare në tri komunat, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, jetojnë mbi 100 mijë banorë shqiptarë.

Po ashtu, këto rezultate i përgënjeshtrojnë autoritetet shtetërore serbe të cilat, konsideronin se vetëm 5 mijë e 200 banorë shqiptarë jetonin në pjesën jugore të Serbisë, duke u bazuar në regjistrimin e vitit 2011, ku shqiptarët kishin bojkotuar atë kohë censusin për shkak se formularët e regjistrimit ishin shtypur në gjuhën serbe.

“Rezultatet preliminare janë se në komunën e Preshevës me të gjitha 35 vendbanime jetojnë 58 mijë e 850 qytetarë rezident dhe jorezident në 11 mijë 573 amvisëri. Sipas informatave që i kam në Bujanoc ka diku mbi 54 mijë qytetarë, ndërsa në Medvegje mbi 8 mijë e 300 qytetarë”, deklaroi kryetari i Komisionit Komunal për Regjistrim, Hevzi Ramadani për Radio Televizonin e Kosovës.

Rezultatet e para zyrtare pritet t`i bëjë publike “Enti për Statistika” në Serbi nga fundi i nëntorit, ndërsa ato përfundimtare më së voni deri në fundin e prillit të vitit 2023.

Procesi i regjistrimit në tri komunat e Luginës së Preshevës është monitoruar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Në Komunën e Preshevës ishin 73 regjistrues të udhëhequr nga 12 instruktorë. Në Komunën e Bujanocit ishin 83 regjistrues të udhëhequr nga 13 instruktorë dhe në Komunën e Medvegjës ishin 21 regjistrues të udhëhequr nga 4 instruktorë.

Ndryshe, liderët politikë në Kosovë, përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi, vazhdimisht iu kanë bërë thirrje shqiptarëve të participojnë në censusin në Serbi.

Osmani: Tregoni se janë trojet tuaja, javën e ardhshme takohet me liderët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media adresoi thirrje tek shqiptarët e Luginës së Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë që ka nisur më 1 tetor dhe zgjati deri në fund të muajit.

Ajo tha se shqiptarët duhet të bashkohet kundër politikës shoviniste të Serbisë.

“Derisa, Serbia përmes një politike shoviniste vazhdon ta përdorë spastrimin etnik si mjet administrativ për t’i larguar shqiptarët nga Lugina, të gjithë shqiptarët duhet të bashkojnë forcat duke eliminuar pengesat që po i bën Serbia në procesin e regjistrimit, përgjatë këtyre javëve kam pasur takime me institucione vendore dhe ndërkombëtarë, ku kam ngritur këtë çështje, kam kërkuar që ndërkombëtarët të takohen me liderët politikë të Luginës”.

Gjithashtu, ajo bëri të ditur se javën e ardhshme do të takohet me liderët shqiptarë.

Ky takim edhe pse ishte paraparë që të mbahet më herët sipas Osmanit, është shtyrë për shkak të vizitave zyrtare të krerëve të shtetit në vende të tjera.

“Të hënën do t’i takojë të gjithë liderët nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja. Të gjithë shqiptarët duhet t’i bashkohen procesit të regjistrimit, si dhe të tregojnë se janë troje që kanë jetuar gjithmonë dhe aty do të qëndrojnë përgjithmonë”.

Kurti: Shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi në profilin e tij në Facebook, ftoi shqiptarët që jetojnë në Serbi që t’u përgjigjen regjistrimit të popullsisë.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës ftoj shqiptarët që jetojnë në Serbi, e në veçanti në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc që t’u përgjigjeni regjistruesve, duke regjistruar veten dhe familjarët”.

Ai kishte deklaruar se shqiptarët vazhdimisht përballen me diskriminim kombëtar dhe njerëzor në Serbi, prandaj sipas tij, thirrja për regjistrim nuk është vetëm çështje statistike por përgjigje ndaj shtypjes. “Regjistrimi i cili fillon sot e përfundon më 31 tetor, për shqiptarët nuk është vetëm çështjet statistike. Ju ftoj që shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim. T’i përgjigjeni pasivizimit duke regjistruar çdo shqiptar. Edhe ata që gjenden me banim të përkohshëm në diasporë dhe Kosovë. Të dëshmoni me vendosmëri që jeni aty”.