Qytetarët presin me ditë për rezultatin e testit për Covid-19, politikanët e marrin brenda ditës

Deri në tri ditë radhazi presin pacientët që testohen për koronavirus për të marrë rezultatin e testit. Shumë ankesa ka pranuar Shoqata për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve.

Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Besim Kodra, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës duhet që çështjen e testimit ta decentralizojë edhe në qendrat rajonale.

Por pritje të tilla nuk ka pasur për disa prej politikanëve kosovarë, të cilët brenda ditës kanë njoftuar se janë testuar e kanë marrë rezultatin pozitiv, raporton KTV.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar të hënën se është testuar, ndërkohë që të martën ka njoftuar se ka marrë rezultatin pozitiv. Ndërkohë që brenda ditës rezultatet kanë njoftuar se i kanë marrë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ai i PDK-së, Kadri Veseli, si dhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kjo sipas Kodrës tregon pabarazinë dhe diskriminimin në procesin e testimit. Sipas tij, të gjitha shërbimet shëndetësore, përfshirë testimet, duhet të jepen pa asnjë lloj diskriminimi, me përjashtim të rasteve urgjente.

Ankesa për vonesa në kumtim të rezultateve kanë pasur më herët edhe nga komunat e ndryshme.
Është edhe një shqetësim i yni rreth vonesave në përpunimin e rezultateve. Pritja e gjatë për rezultate për ne është e pakuptimtë. Apeloj publikisht tek IKSHP-ja që të mos i vonojnë rezultatet e testeve, sepse njerëzit janë në vetizolim”, kishte thënë nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismaili
Ankesa kishte edhe nga Drejtoria për Shëndetësi e Komunës së Pejës.

Por kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se qe një kohë nuk kanë pasur ankesa të tilla, pasi sipas tij tani po testohen vetëm personat që kanë simptoma të rënda.
Kemi pasur ankesa më herët, por prej që na është dhënë rekomandimi për diagnostikim edhe pa teste tani testohen vetëm kontaktet me simptoma të rënda, dhe pas kësaj nuk jam në dijeni të ndonjë ankese nga ana e komunave”, ka thënë ai.

Në IKSHPK nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me vonesën në paraqitjen e rezultateve. E ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se ajo që kanë vënë si prioritet është testimi i rasteve që janë duke u trajtuar në spitale.
Deri më tani në Kosovë janë testuar mbi 35 mijë persona të dyshuar për COVID-19.