Qeveria e Serbisë paguan një firmë amerikane nga 50 mijë dollarë në muaj për lobim në Uashington

Qeveria e Serbisë del se është duke paguar një kompani amerikane për lobim, “BGR Group”, nga 50 mijë dollarë në muaj për të lobuar në Uashington. Kjo marrëveshje është e regjistruar edhe në një dokument zyrtar të Departamentit të Drejtësisë të ShBA-së.

Në dokumentin e Departamentit të Drejtësisë, që ka të bëjë me deklaratën e regjistrimit sipas Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Jashtëm, kompania e regjistruar është “BGR Gocernment Affairs LLC”, e cila është pjesë e firmës lobuese “BGR Group”. Kompania e ka selinë në Uashington.

Pala tjetër e marrëveshjes është ambasada e Serbisë në Shtetet e Bashkuara, raporton gazeta “Nacionale”.

Në dokumentin e Departamentit të Drejtësisë të ShBA-së thuhet: “Marrëveshja mes regjistruesit dhe palës së huaj të lartëpërmendur është kontratë e shkruar zyrtare.”

Në pyetjen e dokumentit që është dashur të plotësohet, nëse aktivitetet në emër të palës së huaj do të përfshijnë aktivitete politike, siç përcaktohen në seksionin 1 të Aktit, përgjigjja është “po”.

Nënshkruese e dokumentit është konsuletja e përgjithshme e firmës “BGR Group”, Chelsea Mincheff.

Në dokument është bashkëngjitur edhe një letër që kjo firmë i ka dërguar ambasadës së Serbisë, duke iu drejtuar ambasadorit Marko Gjuriq.

Në letrën e marrëveshjes dërguar ambasadorit serb, bëhet e ditur se ambasada e Serbisë do t’i paguajë kompanisë “BGR Group” nga 50 mijë dollarë në muaj për 12 muaj, duke filluar nga 20 korriku i këtij viti.

Për më tepër, ambasadori njoftohet se ekipi që do të lobojë për Serbinë do të udhëhiqet nga Maya Seiden dhe do të përkrahet nga Lester Munson dhe Jeffrey Birnbaum.

Serbia ka angazhuar edhe kompani tjera

Kjo nuk është kompania e vetme amerikane që do të lobojë për Serbinë.

Qeveria e Serbisë ka nënshkruar marrëveshje edhe kompani tjera amerikane, të cilat kanë për synim promovimin e Serbisë.

Mediat kanë raportuar se Serbia ka nënshkruar kontratë lobimi edhe me kompaninë “KARV”, e cila do të kushtojë 740 mijë për një vit.

Kompania do të promovojë Serbinë për arritur të audiencat të reja me informacione “që i ndihmojnë ato për ta kuptuar pozicionin e Serbisë në arenën globale.”

“Kompania KARV do të punojë Qeverinë e Republikës së Serbisë për të asistuar në promovimin e Serbisë dhe do të punojë për të arritur audienca të reja me informacione që i ndihmojnë ato për ta kuptuar pozicionin e Serbisë në arenën globale. Kjo do të bëhet përmes mediave standarde dhe sociale, bashkë me ndërveprime dhe fjalime të drejtpërdrejta me grupe në mbarë Shtetet e Bashkuara.”, thuhet në marrëveshje.

Afati i kësaj marrëveshje do të jetë një vit.

“Afati i marrëveshjes do të jetë për një vit, duke filluar nga 15 korriku i vitit 2023 deri më 14 korrik 2024 dhe mund të zgjatet në mënyrë të dyanshme nga të dyja palët ose anulimi ndodh sipas paragrafit IV më poshtë. Është arritur pajtueshmëri që KARV-i do të faturojë nga 60 mijë dollarë në muaj. Pagesa e parë duhet të bëhet me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.”, thuhet në marrëveshje.