Pesë ish-deputetë mbeten jashtë listës së PDK-së për zgjedhjet e tetorit

Pesë ish-deputetë mbeten jashtë listës së PDK-së për zgjedhjet e tetorit

INDEKSONLINEE Diele, 08 Shtator 2019 22:56

Jo të gjithë deputetët e legjislaturës së gjashtë që vinin nga Partia Demokratike e Kosovës do të kërkojnë besimin e qytetarëve për ta fituar edhe një mandat në Kuvendin e Kosovës.

Në listën zyrtare të kandidatëve për deputetë të cilën e ka publikuar PDK-ja, nuk gjenden emrat e pesë ish-deputetëve, shkruan AktivPress.

Në mesin e 110 kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit nuk janë: Flora Brovina, Zenun Pajaziti, Sala Berisha-Shala, Nait Hasani dhe Abdyl Salihu.

Pas Adem Mikullovcit, Flora Brovina ka qenë deputetja më e vjetër e legjislaturës së kaluar. Sivjet ajo u përfshi në një skandal, pasi përdori disa fotografi të nxjerra nga faqet pornografike për të dëshmuar dhunimet e paramilitarëve serbë të kryera në Kosovë gjatë luftës.

Nuk dihet nëse ky rast të ketë ndikuar që ajo të mos provojë të bëhet sërish deputete, apo mospërshirja në listë është bërë qëllimisht nga partia.

Zenun Pajaziti ka qenë njëri ndër deputetët më aktiv të PDK-së në të kaluarën, gjë që s’mund të thuhet edhe për legjislaturën e fundit.

Sala Berisha- Shala ka qenë njëra ndër deputetet më të votuara të PDK-së. Ajo ka udhëhequr Komisionin për Zhvillim Ekonomik. Ndonëse ajo nuk është futur në listën zgjedhore, bashkëshorti i saj, Ferat Shala, sivjet do të kërkojë për herë të parë besimin e qytetarëve për t’u bërë deputet.

Nait Hasani kohëve të fundit nuk ka qenë i kënaqur me zhvillimet e brendshme në PDK. Së voni ai është propozuar për ambasador në Tiranë dhe tash është në pritje të pëlqimit nga Shqipëria.

Abdyl Salihu nuk është dëgjuar shumë në Kuvend. Ka qenë anëtar i Komisionit për arsim, shkencë dhe teknologji.