Pronari i firmës në Pejë cak i hajnave, denoncon se ia vodhën çantën me 20 mijë euro

Jo rrallëherë hajnat kanë cak çantat me shuma të majme parash që zbulojnë se i mbajnë pronarët e bizneseve të ndryshme. Viktimë e një rasti të tilla ka qenë edhe pronari i një firme nga Peja, të cilit dyshohet se ia vodhën rreth 20 mijë euro nga vetura, gjatë ditës së djeshme. Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për pronarin e ‘Termoteknikës’ i cili e denoncoi rastin pas mesnate.

Burimet nga Prokuroria kanë dhënë detaje për dëshminë e R.T., të dhënë në stacion policor me rastin e denoncimit të vjedhjes.

Siç mëson Sinjali, në deklaratën e tij thuhet se gjatë ditës kishte udhëtuar për në Prishtinë, ku kompania e tij e ka një pikë dhe rrugës ka bërë disa ndalesa, periudhë kjo gjatë së cilës ai dyshon se është kryer vjedhja.

Ai ka denoncuar se e zbuloi se i mungojnë paratë tek kur është kthyer në shtëpi, kur nuk e gjeti çantën me të holla dhe ia mësyu Policisë për të raportuar çka ka ndodhur.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, teksa kanë nisur hetimet për identifikimin e të dyshuarit apo të dyshuarve dhe zbardhjen e rrethanave.