Prokuroria kërkon dënimin e “Burdushit” dhe konfiskimin e pasurisë së fituar kundërligjshëm

Prokuroria ka kërkuar që i akuzuari Hysri Peqani i njohur si “Burdushi” të dënohet për veprat penale për të cilat akuzohet dhe t’i konfiskohet pasuria e fituar kundërligjshëm. Sipas ekspertizës së cituar nga organi i akuzës, Peqani ka përfituar 2 milionë euro ndërsa vetëm 9.5 për qind e pasurisë e ka të fituar në mënyrë legale.

Këtë e ka bërë të ditur prokurorja Merita Bina-Rugova, në fjalën e saj përfundimtare, në seancën e së premtes, në rastin ku Peqani akuzohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje.

Në anën tjetër, mbrojtësit e Peqanit, Burim Osmani dhe Feim Alaj kanë kërkuar lirimin e klientit të tyre.
Fillimisht, i akuzuari Peqani është mbrojtur në heshtje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Pas konsultimit mbrojtësit kam vendosur të mbrohem në heshtje”, ka thënë i njëjti.

Gjithashtu, prokurorja Bina-Rugova ka njoftuar se ka bërë precizimin e dispozitivit të parë të aktakuzës të cilin e ka ndarë në dy pjesë, mirëpo kualifikimi i veprës penale është i njëjti.

E njëjta në fjalën e saj përfundimtare ndër të tjera ka thënë se është dëshmuar që i akuzuari Peqani me veprimet e tij ka injoruar ligjin.

“Konsiderojmë se gjatë këtij shqyrtimi kryesor është dëshmuar se i akuzuari Hysri Peqani të paktën nga viti 2005 e më shumë mundësi shumë më gjatë, me të gjitha veprimet e tij totalisht e ka injoruar ligjin”, tha ajo.

Prokurorja Bina-Ruova ka thënë se ai gjithashtu ka bërë reklamë si i suksesshëm në trajtimin e sëmundjeve të rënda.

Prokurorja ka thënë se sipas ekspertizës, i akuzuari Peqani ka përfituar nga 20 deri 3000 euro nga njerëzit duke arritur përfitim total 2 milionë euro ndërsa vetëm 9,5 % është fituar në formë legale
Krejt në fund, prokurorja Bina-Rugova ka kërkuar nga trupi gjykues që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Andaj, në tërësi mbetem pranë aktakuzës. Kërkoj që i akuzuari të shpallet fajtor për të gjitha veprat penale për të cilat akuzohet dhe gjithashtu kërkoj që të bëhet konfiskimi i përhershëm i të gjitha aseteve të konfiskuara përkohësisht, ndërsa borxhet eventuale të akuzuarit për blerjen e automjeteve të cilat janë përmendur gjatë procedurës nuk guxojnë të jenë pengesë për konfiskim dhe pagimi i këtyre borxheve nëse eksitojnë duhet të kërkojnë të dëmtuarit në një procedurë tjetër civile e jo në këtë shqyrtim”, ka thënë e njëjta.

Ndërsa, në fjalën e tij përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit Peqani, avokati Osmani ndër të tjera ka thënë se ka kushte për nxjerrjen e një aktgjykimi lirues apo refuzues.

“Unë mendoj që sipas teorisë së mbrojtjes, me bindjen e plotë e them që në rastin konkret nuk qëndron, të paktën të hiqet pjesa e aktakuzës në mënyrë të veçantë tek vepra e parë penale, vepra e dytë, m’falë te vepra e dytë, e tretë dhe katërt, nuk qëndrojnë elementet e veprës penale, ka kushte për nxjerrjen e aktgjykimit lirues dhe ka kushte për nxjerrjen e aktgjykimit refuzues”, ka thënë ai.

Fjalën përfundimtare të avokatit Osmani e ka mbështetur i mbrojturi i tij, i akuzuari Peqani i cili gjatë fjalës së tij përfundimtare ka thënë se në jetën e tij nuk u bazuar asnjëherë me ligjin.

Ai ndër të tjera ka thënë se beson që gjithçka ka qenë e manipuluar nga prokuroria dhe hetuesia.
Peqani ka thënë se në Kosovë veprimtari sikur të tij kryejnë edhe persona të tjerë derisa ka përmendur se po ndiqet pse i përket një komuniteti në Kosovë.

“A veç për mua vlen ky ligj, a vetëm pse jam komunitet, kur në tërë Kosovën shkruhen hajmalia, fryhen e thonë rukje, kjo ka qenë një diskriminim racor kundër meje dhe besimtarëve të mi shahman”, ka thënë i akuzuari Peqani.
Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale do të bëhet më 10 janar të vitit 2023 pasi që, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala tha se i nevojitet më shumë kohë se afati ligjor prej tre ditësh për arsye se lënda është mjaft voluminoze.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

SHARE