Burri në Istog e bën për spital bashkëshorten e tij dhe e dëbon nga shtëpia, përfundon në pranga

Dhuna në familje është shndërruar në makth për vajzat dhe gratë në vendin tonë. Numri i rasteve që denoncohen çdo ditë në Polici ka marrë përmasa shqetësuese, pasi që vetëm gjatë këtij viti janë raportuar mbi 2 mijë raste të dhunës në familje. E shumë nga këto raste ndër vite kanë përfunduar me fatalitet për gratë,

Në Polici kanë përfunduar dje edhe një çift nga fshati Serbobran i Istogut, pasi një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Sinjali mëson se 27-vjeçari pas një konflikti verbal ka eskaluar në dhunë fizike ndaj viktimës dhe të njëjtën më pas e ka dëbuar nga shtëpia.

Si pasojë e dhunës së përjetuar, 26-vjeçarja ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që gjithë ngjarjen e ka rrëfyer në Polici. Ajo para hetuesve policorë ka deklaruar se nuk ndjehet e sigurt të vazhdojë bashkëjetesën me të shoqin, prandaj s’është kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

SHARE