Projekti i shumëpritur merr dritën jeshile, nënshkruhet kontrata për zgjerimin e rrugës Dollc-Zahaq

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka finalizuar nënshkrimin e kontratës për vijimin e punimeve në rrugën nacionale N9, në segmentin Dollc–Zahaq, pjesë e projektit të zgjerimit të aksit Prishtinë–Pejë.

Sipas dokumenteve të publikuara nga Ministria, kontrata është dhënë më 22 tetor 2025, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar të bëhet më 23 tetor 2025. Vlera e përgjithshme e parashikuar e kontratës arrin në 45 milionë e 690 mijë euro,

Tenderi është fituar nga Grupi i Operatorëve Ekonomikë që përfshin kompanitë: Benita Company, Asfalt Group SH.P.K., Arfa Group SH.P.K., Fortesa SH.P.K. dhe Saba Belca Dega në Kosovë.

Në këtë fazë të projektit përfshihet zgjerimi i rrugës nacionale N9 në segmentin Dollc–Zahaq, për lotet 1, 2, 3 dhe 4, me punime që parashohin ekzekutimin e plotë të planit dhe realizimin e kërkesave teknike të projektit.

Në procesin e tenderimit kanë marrë pjesë 25 kompani, ndërsa kontrata është dhënë pas vlerësimit të ofertave në përputhje me ligjin për prokurim publik

Ky projekt pritet të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën rrugore ndërmjet Prishtinës dhe Pejës, duke lehtësuar qarkullimin dhe rritur sigurinë në njërin prej akseve më të frekuentuara në vend