Avdullah Hoti e kthen bixhozin në Kosovë

Ato që i mbylli me shumë zhurmë Ramush Haradinaj sa ishte kryeministër, po tenton t’i kthejë në heshtje me ligj kryeministri i tanishëm, Avdullah Hoti.Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Hoti tashmë ka nisur procedurat ligjore që të rregulloj funksionimin e tyre përmes projektligjit për Lotarinë e Kosovës, shkruan Gazeta inFokus.

“Me këtë Ligj rregullohet organizimi dhe funksionimi i Lotarisë së Republikës së Kosovës (këtu e tutje Lotaria) llojet e lojërave të fatit të organizuara nga Lotaria, kushtet dhe mënyra e organizimit të lojërave të fatit, rregullat e lojës, mbikëqyrja e tyre dhe mënyra e shpërndarjes së të ardhurave nga lojërat e fatit të lotarisë”, thuhet në konsultimet për këtë ligj në faqen e qeverisë së Kosovës.

Kuvendi i Kosovës më 28 mars 2019, ka miratuar Ligjin, ku sipas të cilit mbyllen të gjitha lojërat e fatit në tërë Kosovën, përfshirë edhe lojërat të cilat organizohen nga Lotaria e Kosovës.

Ligji ka hyrë në fuqi më 10 maj 2019 dhe nga ajo datë janë pezulluar të gjitha lojërat e fatit të lotarisë deri në miratimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovës.

Ndërkaq, me projektligjin e ri shpjegohet se “Lojërat e fatit – nënkupton lojën e organizuar nga Lotaria sipas dispozitave të këtij Ligji, në të cilën për pagesë të shumës së caktuar pjesëmarrësve u epet mundësia e fitimit në para, mallra ose të drejta, ku fitimi apo humbja varet nga rastësia ose nga ndonjë tjetër ngjarje e paparashikuar”.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, akciza për aparatet e lojërave të fatit në Kosovë ka qenë e lartë dhe buxheti i shtetit brenda vitit ka inkasuar afër 20 milion euro nga kjo veprimtari. Ndërsa, 50 milionë euro llogaritet të jetë qarkullimi vjetor.