Policia zbulon serrë me 35 bimë narkotike në Skenderaj, 37-vjeçari përfundon në ndalim policor

Policia e Kosovës ka arrestuar një 37-vjeçar nga fshati Klinë e Ulët i Skenderajt, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimës së kanabisit”,

Arrestimi i të dyshuarit erdhi pas një bastisje që u krye në shtëpinë e tij, me urdhër të Prokurorit dhe aprovim të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë thonë se gjatë kontrollimit të kryer nga ana e policëve, në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit është zbuluar një serrë, në të cilën janë gjetur rreth 35 bimë narkotike. Përveç oborrit, në dhomën e të dyshuarit, Policia gjeti edhe rreth 200 fara të bimëve narkotike dhe pajisje për përpunimin e tyre.

Bimët e gjetura janë shkatërruar në vendin e ngjarjes, teksa janë mbledhur prova që do të ndihmojnë në hetimin e rastit.

Sinjali mëson se Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë dhe më pas pritet të bëhet edhe kërkesë për caktimin e masës së sigurisë.