Policia e Kosovës: Nuk hodhëm gaz lotsjellës, përdorën protestuesit – Dy policë janë të lënduar

Pas raportimeve se në oborr të Kuvendit të Kosovës është përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve të cilët tentuan me dhunë të futen brenda objektit të Kuvendit, ka reaguar Policia e Kosovës, të cilët kanë mohuar se kanë përdorur gaz.

Të njëjtit, kanë informuar se dy pjesëtarë të policisë kanë pësuar lëndime.

“Përderisa protesta ishte duke u mbajtur, disa nga protestuesit kanë tentuar me forcë të depërtojnë ti dëmtojnë dyert e Parlamentit për të hyrë brenda si dhe kanë hedhur mjete të ndryshme të forta, lloje të gazit/tymit në drejtim të zyrtarëve të PK-së”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, informon dhe njëherit demanton shkrimet e publikuara në portale ku thuhet se kinse Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, se në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës”, thuhet tutje në njoftim.

Në njoftim është konfirmuar se ka policë të lënduar.

“Bazuar në informacionet e deritanishme, si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor. Po ashtu sipas informacioneve të deritanishme një qytetarë ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasoj e gazit/tymit të hedhur”, theksohet në komunikatë.